Ministria e Financave parashikon një rritje me rreth 20% të interesave të borxhit për vitin e ardhshëm.
Shpenzimet për interesa në buxhetin 2023 parashikohen në vlerën 60.9 miliardë lekë ose 2.8% të PBB, duke përfshirë në këtë shumë dhe kontigjencën për rreziqet e borxhit.
Shpenzimet për interesa parashikohen të rriten me 20% krahasuar me vitin 2022 (krahasimi me buxhetin e rishikuar të këtij viti), ndërsa në terma realë rritja e shpenzimeve të borxhit do të jetë në masën e 0.1 % e PBB-së.
Ministria e Financave ka parashikuar për vitin e ardhshëm një fond kontigjence prej 4.9 miliardë lekësh për të mbuluar rreziqet e lidhura me rritjen e shpenzimeve të shërbimit të borxhit. Mbështetur në relacionin e buxhetit, ky nivel vlerësohet i mjaftueshëm për të përballuar rritje përtej atyre të parashikuara si skenar më i mundshëm i normave të interesit përgjatë vitit 2023 dhe pjesës së mbetur të vitit 2022.