Presidenti bullgar Rumen Radev deklaroi se sulmi ndaj një klubi kulturor bullgar në Ohër, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dy ditë më parë ishte një “akt i papranueshëm agresioni i kultivuar me dekada kundër bullgarëve”.
“Rruga e Shkupit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian kalon përmes njohjes dhe respektimit të të drejtave të bullgarëve”, shtoi ai.
Sulmi, i treti që nga hapja e klubit në tetor dhe i dyti në katër ditët e fundit, ndodhi të mërkurën mbrëma kur një sulmues i panjohur qëlloi me armë, duke lënë dy vrima në dritaren e klubit. Ministritë e jashtme në Sofje dhe Shkup e dënuan sulmin.
Presidenti i Bullgarisë tha se lidershipi i shtetit dhe populli i Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të kuptojnë se rruga drejt BE-së kalon përmes njohjes dhe respektit të bullgarëve në këtë vend, trashëgimisë së tyre kulturore dhe historike, shkruan protothema.gr.
“Kur ishim nën presion të madh për të lejuar Republikën e Maqedonisë së Veriut që pa kushte të fillojë bisedimet e anëtarësimit me BE, unë vura veton dy herë”, shtoi ai duke theksuar se ai ngriti çështjen e të drejtave të bullgarëve në atë vend për aleatët dhe partnerët në BE.
“Së pari duhet të sigurohen të drejtat e tyre duke i shtuar ato në Kushtetutën e vendit dhe më pas t’i hapet rruga negociatave”, tha presidenti.
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme në Sofje dënoi sulmin e fundit kundër klubit kulturor bullgar “Car Boris III” në Ohër. Një notë proteste sot iu dorëzua ambasadores së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Agnesa Rousi Popovska.
Ministria e Jashtme në Shkup e dënoi sulmin, duke deklaruar se akte të tilla vandaliste rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe se ky veprim bie ndesh me aspiratat e vendit për anëtarësim në BE.
Ministria e Jashtme në Sofje nuk e pranoi cilësimin e sulmit si akt vandalizmi dhe deklaroi se ky ishte një “vepër e rëndë kriminale”.