Pas vështirësive që kaluan këtë vit nga mungesa e subvencioneve dhe rritja e kostove, fermerët presin një vit më të mirë në bujqësi më 2023, si në prodhim, edhe në eksporte.
Funksionimi i skemës për subvencionin e serrave pritet të rrisë më tej sipërfaqet e mbjella, ndërkohë që kërkesa e jashtme për prodhimet shqiptare do të zgjerojë eksportet deri në 10%.
Sektori i blegtorisë do të vazhdojë të jetë problematik, nëse nuk rritet çmimi i qumështit për prodhuesit e vegjël.
“Serrat ekzistuese do të mbillen, por do të zgjerohen më tej për arsye të vënies në funksion të skemës së subvencionit”, tha Mariglen Ziu, i cili kultivon rreth një hektar serrë në Samaticë të Beratit një nga zonat me intensitet të lartë të zhvillimit të bujqësisë në sera.
Aktualisht, skema e subvencionit për serrat është 40 mijë lekë për dynym, e ndarë në dy faza, në dy sezone me nga 20 mijë lekë për dynym.
Fermerët dorëzojnë faturat e fidanit në zyrën e AZHBR-së dhe paratë kalojnë direkt në bankë në llogarinë e fermerit, tha z. Ziu, duke shpjeguar se kjo po nxit mbjelljet.
Fermeri tjetër, Alban Çakalli, i cili kultivon kultura të rralla me vlerë të lartë në zonën e Mamurrasit, tha se kostot në inputet bujqësore janë rritur nga 50-100% dhe këto nuk janë reflektuar totalisht në çmimet e produkteve.
Pavarësisht problematikave që po kalon bujqësia shqiptare eksportet bujqësore parashikohen me rritje vitin që vjen. Në vitin 2023 pritet të rriten eksportet në masën 10%, për disa arsye.
Nga rritja e sipërfaqeve të serrave, por edhe nga rritja e prodhimit të disa pemëve frutore, sidomos e mandarinës klementinë që po bëhet një frutë interesante, e cila po kërkohet nga tregjet europiane, tha Ruzhdi Koni një nga eksportuesit më të mëdhenj të prodhimeve bujqësore në vendin tonë.
Ndryshe nga degët e tjera blegtoria do të kalojë një situatë të vështirë edhe në vitin 2023. Sektori i blegtorisë do të vijojë trendin rënës në numrin e krerëve, nëse nuk sigurohet një çmim më i lartë për qumështin e fermerëve, thotë Ervin Resuli, i cili zotëron një fermë gjedhi dhe njëkohësisht është një njohës i mirë i sektorit.
Z. Resuli thotë se numri i bagëtive do të pësojë rënie te fshatarët, të cilët shesin një litër qumësht më pak se 100 lekë./ Monitor