Bujar Spahiu rizgjidhet në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Ai ka marrë 82 vota nga 92 anëtarë të kryesisë që kanë votuar në zgjedhjet e mbajtura këtë të shtunë mes polemikave e akuzave. Votimi u mbajt në ambientet e Medresesë së Tiranës, pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të kryetarit aktual Bujar Spahiu, i zgjedhur më 02 mars të vitit 2019.
Ndërkohë Emirion Vathaj, myfti i Beratit ka marrë 3 vota dhe Eduart Shefki, administrator i myftinisë së Durrësit 3 vota, ndërkohë që 4 vota rezultojnë të pavlefshme.
‘‘Të nderuar vëllezër dhe motra kam qenë dhe do të jem i hapur ndaj çdo kritike konstruktive. Ftoj cilindo të shpreh lirisht mendimet e tyre. Cilido prej jush do të vijojë gjet një atmosferë të mirë të lirisë së shkëmbimeve idesh dhe këshillimi të ndërsjelltë sa i shërben qëllimit dhe misionit. Institucioni nuk do ngurojë të ndjek rrugë ligjore ndaj kujtdo që akuzon pa fakte dhe nxit përçarje mes vëllezërve. KMSH do të vijoi të jetë vazhdues i traditës. Në 100 vite kemi qenë faktor stabiliteti paqeje dhe mirëkuptimi në shoqërinë shqiptare. Do vijojë të jetë kontribuues ky institucion në harmoninë dhe dialogun ndërfetar. Do japim kontributin që Shqipëria të jetë më e begatë. Do vijojmë të japim kontributin tonë që të përparojë drejt Evropës. Do bëjmë çmos që familja të jetë e shëndetshme. I lutemi Zotit të jetë krah nesh për ta çuar përpara këtë punë. Le të kthejmë sytë nga Zoti dhe t’i lutemi atij të bëjmë të mirën dhe të refuzojmë të keqen. Amin”, tha ndër të tjera Bujar Spahiu.
Zgjedhjet në Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u mbajtën ndërsa jashtë Medresë mbahej një protestë kundër teatrit të organizuar nga gylenistët e organizatës që njihet ndryshe si ‘Feto’.
Florjan Arapi një nga organizatorët e protestës para Komunitetit Musliman të Shqipërisë thotë se u realizua teatri që ishte paralajmëruar dhe paralajmëron se do bëjë padi në gjykatë.
“Bujar Spahiu u zgjodh si në kohën e sistemit totalitarist. Do e çojmë në gjykatë për pavlefshëmëri votimi. Në gjykatë do të ndiqen manipulimet që janë bërë me zgjedhjet e këshillave të myftinive” tha Arapi.