Në ditët e sotme, të nxitur edhe nga lufta në Ukrainë, çmimet e karburanteve kanë shkuar në stratosferë. E në këto kushte, ekspertët po mendojnë për një zgjidhje alternative dhe tashmë duket se kjo zgjidhje po merr jetë. Shpresat janë te qumështi. Po! Duket e pabesueshme, por e vërtetë.
Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Miçiganit (MMPA) njoftoi se do të zgjerojë bashkëpunimin me Dairy Distiller. Kjo kompani e merr qumështin dhe e përdor për të prodhuar një vodka me bazë qumështi të quajtur Vodkow.
Kompania përdor një nënprodukt të përpunimit të qumështit të quajtur tretësirë qumështi për prodhimin e vodkës. Kjo lëndë është plot me laktozë e cila është një lloj sheqeri. Kjo do të thotë se, si me format e tjera të sheqerit, ai mund të bëhet lënda e parë për prodhimin e etanolit.
Përveç vodkës, ky etanol mund të përdoret edhe për prodhimin e karburantit për makina. Zgjerimi i prodhimit do të kërkojë krijimin e një fabrike të re prej 41 milionë dollarësh që do të fillojë të funksionojë në vitin 2025.
Kjo fabrikë mund të prodhojë më shumë se 10 milionë litra etanol në vit nga materiali i pasur me laktozë. Dhe prej andej do të përzihet në objekte speciale me derivatet e naftës për të krijuar një biokarburant “më të pastër”.
Megjithatë, lajmi i keq në këtë lajm të mirë është se edhe industria e qumështit është një proces shumë i rëndë për mjedisin, njësoj si karburantet.