Një ditë më parë qeveria vendosi që të shkrijë Bordin e Transparencës që vendoste çmimet e karburanteve. Pas kësaj, u ngrit një pyetje: A do kemi ulje çmimesh?
Konfindustria tregon se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur, përkundrazi.
‘Konfindustria, duke marrë shkak nga shfuqizimi i Bordit të Transparencës vlerëson, se vendimi nuk pritet të sjellë asnjë ulje të çmimeve të karburanteve në treg,
përkundrazi mund të përkeqësohet më tej. Arsyeja e përfundimit të mësipërm është mungesa e konkurrencës së lirë në tregun e karburanteve, si pasojë e pranisë së oligopoleve dhe marrëveshjeve të tipit kartel”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, e vetmja zgjidhje për të mbajtur në kontroll çmimet e karburanteve, është krijimi i një Enti rregullator.
“Mungesë e qartë e standardeve të konkurrencës vërehen sidomos në pjesë të caktuara të zinxhirit tregtar si shërbimet portuale, të depozitimit dhe të tregtisë me shumicë të karburanteve. Konfindustria përsërit kërkesën për krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve sipas modeleve të ngjashme të sukseshme në Rajon.’- thekson Konfindustria.
Bordi i Transparencës u ngrit në 12 mars të vitit të kaluar, si pasojë e rritjes së çmimeve prej luftës në Ukrainë.