Presidenti amerikan Joe Biden shprehu skepticizëm të enjten në lidhje me komentet e presidentit rus Vladimir Putin se ai nuk kishte ndërmend të përdorte armë bërthamore në Ukrainë.
Për këtë shkruan agjencia “Reuters”.
Putin e hodhi poshtë përplasjen bërthamore me Perëndimin në një fjalim më herët gjatë ditës, duke këmbëngulur se Rusia nuk kishte kërcënuar të përdorte armë bërthamore dhe se po i përgjigjej vetëm “shantazhit” bërthamor nga udhëheqësit perëndimorë.
“Nëse nuk e ka ndërmend, pse vazhdon të flasë për këtë? Pse flet për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore taktike?” – tha Biden.
“Ai është shumë i rrezikshëm në qasjen e tij ndaj kësaj,” tha ai.
Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë kanë thënë vazhdimisht në javët e fundit se Rusia mund të përdorë armë bërthamore për të mbrojtur integritetin e saj territorial – vërejtje që janë interpretuar në Perëndim si kërcënime të nënkuptuara për t’i përdorur ato për të mbrojtur pjesë të Ukrainës që Rusia pretendon se janë aneksuar.
Më herët në një intervistë për kanalin televiziv CNN, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për çështje të sigurisë kombëtare, John Kirby, tha se është e mundur që Rusia po shqyrton mundësinë e përdorimit të të ashtuquajturës “bombë e pistë” dhe po krijon një justifikim për të akuzuar Ukrainën.
Por, sipas tij, Shtetet e Bashkuara ende nuk shohin ndonjë shenjë se kjo domosdoshmërisht është kështu.