Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk është tërhequr nga protesta e datës 6 dhjetor.
Kjo, pavarësisht se Policia e Shtetit ka bërë të qartë se është i pamundur zhvillimi i saj.
Mbrëmjen e 25 nëntorit, përmes një komunikate për shtyp, Policia e Tiranës njoftoi se në bazë të hapave të ndërmarra për mbarëvajtjen e sigurt të Samitit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, i cili do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë, nuk mund të kishte një tubim përballë Kryeministrisë.
Kjo, si pjesë e vendosjes së një perimetri sigurie dhe bllokimi të akseve rrugore në atë zonë.
Mirëpo, për ish-kryeministrin, kjo deklaratë është tërësisht antikushtetuese dhe protesta do të zhvillohet.
“Refuzimi tregon fytyrën e vërtetë të regjimit që është i tmerruar nga populli shqiptar. Në këtë protestë në datën 6 në orën 12:00, do të vërshojnë të gjithë ata të cilët ëndrrën evropiane e kanë më të çmuarën për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Do të jetë një protestë që nuk është parë ndonjëherë”, bëri me dije Berisha përmes një komunikimi në Facebook.