Bashkimi Evropian ka gaz të mjaftueshëm për dimër, por mund të përballet me mungesë vitin e ardhshëm nëse Rusia shkurton edhe më tej furnizimet.
Këtë e ka bërë të ditur Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), shkruan Reuters.
Agjencia u kërkoi qeverive të veprojnë më shpejt për të kursyer energjinë dhe për të zgjeruar përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.
“Pavarësisht se Rusia ka shkurtuar furnizimet me gaz këtë vit, Evropa ka shmangur mungesat akute dhe e ka nisur dimrin me rezervuarë të tejmbushur të gazit – falë pjesërisht masave emergjente të BE-së për mbushjen e magazinave dhe gjithashtu fatit të mirë të motit të ngrohtë dhe çmimeve të larta të gazit, të cilat reduktuan kërkesa për karburant”, shkruan Reuters.
Megjithatë, viti i ardhshëm mund të jetë një provë edhe më e ashpër se kriza e energjisë, e cila ka parë që faturat e karburantit për familjet evropiane të rriten këtë vit.
“Nëse Rusia shkurton pjesën e vogël të gazit që ende furnizon Evropën dhe kërkesa e Kinës për gaz rimëkëmbet nga rënia e shkaktuar nga karantina për shkak të COVID-19, BE-ja mund të përballet me një deficit prej 27 miliardë metrash kub në vitin 2023”, theksuan ata në IEA.
Sipas të dhënave të BE-së, konsumi total i gazit në BE në vitin 2021 ishte 412 miliardë metra kub.