Banka Botërore ka vlerësuar se Kosova ka shënuar progres të qëndrueshëm ekonomik, me rritje prej afro 50 për qind të të ardhurave për frymë dhe ulje prej 35 për qind të shkallës së varfërisë.
Në Bankën Botërore është miratuar Korniza e re e Partneritetit me Vendin (KPV) për Kosovën për vitet fiskale 2023-2027, e cila parashikohet ta përshpejtojë konkurrueshmërinë për krijimin më të madh të vendeve të punës dhe standarde më të mira të jetesës.
Banka Botërore tha në një komunikatë për media se “strategjia e re për Kosovën nënvizon prioritetet për angazhimin e Grupit të Bankës Botërore në vend gjatë pesë viteve të ardhshme, të cilat do të kontribuojnë në efikasitet dhe cilësi më të madhe të shërbimit publik, më shumë vende pune formale në sektorin privat dhe rritje të qëndrueshmërisë mjedisore”.
“KPV-ja synon të ofrojë program gjithëpërfshirës të Grupit të Bankës Botërore për operacionet e huadhënies dhe shërbimet këshillimore dhe analitike”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.
Gjatë dekadës së fundit, Banka Botërore thotë se “Kosova ka shënuar progres të qëndrueshëm ekonomik, me rritje prej afro 50 për qind të të ardhurave për frymë dhe ulje prej 35 për qind të shkallës së varfërisë”.
“Ajo ka kryer me sukses tranzicionin nga modeli i rritjes së bazuar në varësi të lartë nga flukset hyrëse të ndihmës së huaj, duke lënë pas vendet homologe me të ardhura të ngjashme për frymë, falë zgjerimit të vazhdueshëm të konsumit dhe investimeve, me shtysë të fortë nga flukset hyrëse të diasporës, investimet publike në infrastrukturë dhe thellimi financiar, në kushtet e një gjendjeje të qëndrueshme fiskale dhe një mjedisi me inflacion të ulët. Megjithatë, përkundër një dekade progresi, papunësia dhe varfëria mbeten të larta”.
BB tutje ka thënë se “Kosova mund të përfitojë nga riorientimi i ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, duke rritur punësimin më cilësor për të gjithë dhe duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm që mbron mjedisin për brezat e ardhshëm”.
Strategjia e re e Grupit të Bankës Botërore mbështet aspiratën e Kosovës për të arritur këtë transformim dhe për t’u integruar plotësisht në institucionet rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare./ Monitor