Ylli amerikan i basketbollit, Brittney Griner u rikthye në gjykatën ruse të martën mes përpjekjeve diplomatike të SHBA-së për të siguruar lirimin e saj.
Ajo akuzohet për posedim të kanabisit. Gjatë seancës, prokurorët thirrën një ekspert shtetëror të narkotikëve, i cili analizoi kanabisin e gjetur në bagazhin e Grinerit. Mbrojtja e saj paraqiti një specialist i cili kundërshtoi analizën, duke akuzuar se ishte me të meta dhe nuk përputhej me rregullat zyrtare.
Griner u arrestua në shkurt në aeroportin Sheremetyevo të Moskës. Sipas policisë ajo po transportonte cigare elektrike me vaj kanabisi. Basketbollistja e “Phoenix Mercury” dhe fituese e dyfisht e medaljes së artë olimpike rrezikon deri në 10 vjet burg nëse dënohet për trafikim të lëndëve narkotike.
Ndërsa gjyqi i saj vazhdon, administrata Biden është përballur me presionin në rritje të publikut për ta liruar atë. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov dhe i kërkoi Moskës të pranonte ofertën e SHBA-së për lirimin e dy të burgosurve.
Blinken ka thënë të mërkurën se Uashingtoni i ka ofruar Rusisë një marrëveshje që parasheh kthimin në shtëpi të basketbollistes amerikane, Brittney Griner, dhe amerikanit tjetër të burgosur, Paul Whelan. Kjo ishte biseda e parë e Blinkenit me Lavrovit që para pushtimit rus të Ukrainës në shkurt.
Sekretarja për media në Shtëpinë së Bardhë, Karine Jean-Pierre u tha gazetarëve të hënën se Rusia ka bërë një një kundër-ofertë që zyrtarët amerikanë nuk e konsiderojnë si serioze, por nuk dha më shumë detaje. Basketbollistja amerikane u deklarua fajtore për trafik dhe kontrabandë narkotikësh në seancën e 7 korikut të zhvilluar në Moskë.
Ajo u deklarua fajtore, duke i thënë gjykatësit se “nuk kishte asnjë qëllim” për të shkelur ligjin.
Më pak se 1 për qind e të pandehurve për çështje penale shpallen të pafajshëm në Rusi dhe ndryshe nga SHBA-ja, vendimet e pafajshmërisë mund të anulohen. Megjithatë, një dënim mund t’i hapte rrugë shkëmbimit të saj, pasi zyrtarët rusë thanë se kjo mund të ndodhë vetëm pasi të përfundojë procesi gjyqësor.
Tom Firestone, një avokat në Uashington, i cili më parë ka shërbyer si këshilltar ligjor në Ambasadën e SHBA-së në Moskë, tha se Griner mund të marrë një dënim të ashpër si një mënyrë që rusët “ta maksimalizojnë ndikimin e tyre në negociata”.
Rasti i Griner ka tërhequr vëmendjen e publikut teksa për çështjen e saj janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët thonë se ajo është arrestuar padrejtësisht .