As parashikimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama një ditë më parë, kur publikoi një foto në Facebook nuk do të rezultonte i saktë.
Kryesocialisti mendonte se kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” do të merrnin 10 bashki.
Meta-Berisha me proceset e numërimit pothuaj të përfunduara kanë fituar vetëm në gjashtë bashki: Has, Pukë, Himarë, Memaliaj, Fushë-Arrëz dhe Mirditë.
Por sasia e bashkive nuk është “kolapsi” i vërtetë i koalicionit.
Ata me një diferencë të konsiderueshme po dorëzojnë bastionin “flamurtar” të selisë blu si Shkodra.
Nga ana tjetër Partia Demokratike (PD) mund ta quajë “fitore” vetëm marrjen e tre vendeve të dyta.
Në Poliçan kandidati i Enkelejd Alibeajt është pozicionuar i dytë, i cili është pozicioni më i lartë që PD ka marrë, i përsëritur në Dimal dhe Mallakastër.
Tragjike për të thënë pak.
Qarku i Shkodrës ka qenë një nga surprizat më të mëdha në këto zgjedhje.
Socialistët kanë thelluar fitoren e tyre në bastionin tradicional të të djathtëve.
Kandidati socialist Benet Beci, ka korrur një fitore historike përballë kandidatit nga koalicioni Bashkë Fitojmë, Bardh Spahia, me një ndryshim prej 11 mijë e 703 votash.
Beci ka arritur të marrë 60.20% të totalit të votave nga 247 kuti të numëruara, ndërsa Spahia vetëm 39.8%.
Ndërsa, Bashkia Pukë ka qenë një ndër bashkitë e para të fituara nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
Në Pukë kandidati Rrok Ndrec Dodaj ka marrë 58.13% të votave ndërsa Gjon Gjonaj kryetari aktual u rendit i dyti me 41.87%.
E përkthyer në vota Dodaj ka marrë 3 mijë e 80 dhe Gjonaj 2 mijë e 507.
Edhe Bashkia Fushë-Arrëz është fituar nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Hil Curri me 58.99 %, ndërsa rivali i tij i PS-së, Fran Tuci ka marra 41.01 %.
Përkthyer në vota, kandidati fitues ka marrë 2 mijë e 693 vota, ndërsa ai socialist 1 mijë e 872 vota.
Për sa i përket Bashkisë Mirditë, aty ku procesi i numërimit ka përfunduar, opozita kryeson me fitore me 55.19%, ose përkthyer në vota, kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Albert Mëlyshi ka arritur të fitojë 5 mijë e 355.
Kandidati i PS-së, Ndrec Dedaj ka marrë 5 mijë e 160 vota, ose 44.81%.
Në Memaliaj fitoi kandidati i Bashkë Fitojmë Albert Malaj me 3 mijë e 16 vota ose 52.75 për qind kundrejt kandidatit të Partisë Socialiste Gjolek Gucit, i cili regjistroi 2 mijë e 701 vota ose 47.25 për qind.
Në Himarë fitoi kandidati i Bashkë Fitojmë Dhionisios Alfred Petro Beleri me 3 mijë e 837 vota kundrejt kandidatit të Partisë Socialiste Jorgo Goro, i cili regjistroi 3 mijë e 818 vota ose 49.88 për qind.
Gjithashtu në Bashkinë Has, koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” është shpallur fitues me Miftar Dautin, i cili ka marrë 4420 vota, ndërsa rivali i tij socialist Beqir Mulaj 3488 vota.
Koalicioni opozitar tanimë nën historikun “Bashkë S’fitojmë” pas dy zgjedhjesh të dështuara duhet të reflektojë për së brendshmi.
Mazhoranca qeverisëse po i fiton të gjitha zgjedhjet e organizuara si lokale dhe qendrore prej 10 vitesh.
Nuk mund të jetë gjithmonë faji i fituesit nga këto anë.