Standardet e kreditimit të aplikuara nga sektori bankar u shtrënguan për të gjitha segmentet e klientëve vijuan shtrëngimin në tremujorin e tretë të vitit 2022.
Në Vrojtimin e Aktivitetit Kreditues të kryer nga Banka e Shqipërisë bankat raportuan se shtrëngimi i standardeve preku si kreditë për biznesin e vogël e të mesëm, ashtu edhe ato për biznesin e madh. Standardet e kreditimit u shtrënguan, si në kreditë për financimin e investimeve, ashtu edhe në ato për mbulimin e nevojave për likuiditet.
Ky shtrëngim u arrit si nga elementet çmim, ashtu edhe nga ato joçmim. Kështu, bankat raportuan marzhe më të larta, si në kreditë normale ashtu edhe në ato me rrezik, reduktuan madhësinë e kredisë akorduar bizneseve, rritën komisionet, shkurtuan maturitetin maksimal të kredisë si edhe shtuan numrin e kushtëzimeve në marrëveshjet e kredisë, të nënshkruara mes bankave dhe bizneseve.
Faktorët që sollën shtrëngimin e standardeve të kreditimit për bizneset buronin kryesisht nga perceptimi i rrezikut nga ana e bankave lidhur me situatën ekonomike në vend dhe perspektivën për të, aftësinë paguese të kredimarrësit, si edhe me kolateralin e kërkuar.
Në të njëjtën kohë, edhe toleranca më e ulët e bankave kundrejt rrezikut ndikoi në shtrëngimin e standardeve për bizneset. Në shprehje të shtrëngimit, shkalla e miratimit të kredive për bizneset u raportua më e ulët.
Në tremujorin e tretë, standardet e kreditimit u shtrënguan edhe për individët, pas një serie disvjeçare lehtësimi. Shtrëngimi i standardeve u vërejt në të dyja kategoritë e qëllimit të përdorimit të kredisë, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe në atë konsumatore. Shtrëngimi i standardeve të kreditimit për individët ishte pasojë e perceptimit të rrezikut nga bankat lidhur me situatën makroekonomike në vend e perspektivën për të; zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave, aftësinë paguese të kredimarrësit, si edhe me kolateralin e kërkuar. Po ashtu, faktor tjetër që ndikoi në shtrëngimin e standardeve të kreditimit ishte edhe toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut. Shtrëngimi i kushteve dhe termave të kreditimit u arrit në sajë të marzheve më të larta mbi kreditë, si mbi ato normale, ashtu edhe mbi ato me rrezik, reduktimit të madhësisë së kredisë, si edhe kërkesave të shtuara për kolateral në kreditë për blerjen e banesave. Si rezultat, edhe shkalla e miratimit të kredive për individët u reduktua.
Në tremujorin e fundit të vitit 2022, bankat presin që ecuria e standardeve të kreditimit të mos ndryshojë nga ajo e tremujorit të tretë. Kështu, standardet e kreditimit priten të mbeten të shtrënguara, në të dyja kategoritë e madhësisë së biznesit. Në terma të qëllimit të përdorimit, standardet priten të vijojnë shtrëngimin në kreditë për financimin e investimeve dhe të lehtësohen në ato për mbulimin e nevojave për likuiditet.
Edhe standardet e kreditimit për individët priten të shtrëngohen më tej në tremujorin e fundit, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu dhe në ato konsumatore.
Pavarësisht se bankat raportojnë një shtrëngim të standardeve të kredidhënies, deri tani shifrat e huadhënies nuk tregojnë ndonjë qasje të dukshme shtrënguese. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për muajin gusht dhe për të gjithë 8-mujorin kredia e re ka regjistruar nivelet më të larta në të paktën shtatë vitet e fundit. Vetëm për muajin gusht, sektori bankar disbursoi kredia të reja në vlerën e 27.4 miliardë lekëve ose rreth 234 milionë eurove. Krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, kredia e re për ekonominë është rritur me 38.3%./ Monitor