Administrata Tatimore e Kosovës u bën thirrje të gjithë personave që të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parashikuara me legjislacionin tatimor, gjegjësisht të deklaroni dhe të paguani saktë tatimin.
Administrata Tatimore e Kosovës ka nisur zbatimin e projektit “Personat e Pasur”, ndërsa u rikujton se në bazë të legjislacionit tatimor janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë saktë detyrimet tatimore.
Në njoftimin e ATK-së thuhet se bazuar në Planin Strategjik 2022-2026 dhe Planin e Trajtimit të Rreziqeve për vitin 2023, ATK ka hartuar Planin e Veprimit për të përmirësuar përmbushjen tatimore të personave të pasur lidhur me detyrimet e tyre tatimore për Tatimin mbi të Ardhurat Personale, të cilat përcaktohen në legjislacionin tatimor.
“Përmes këtij plani, ATK do të kryejë aktivitete me qëllim të identifikimit të personave të pasur, të cilët nuk deklarojnë dhe nuk paguajnë saktë detyrimet tatimore.
Qëllimi i Projektit ‘Personat e Pasur’ është identifikimi i personave të pasur duke përdorur bazë të të dhënave në formë sistemi/platforme e cila mundëson ndërlidhjen me institucione qeveritare, jo qeveritare, financiare me qellim të trajtimit tatimor të kësaj kategorie, rritjen e numrit të deklarimeve dhe pagesës së tatimit nga kjo kategori e tatimpaguesve, si dhe zvogëlimi i hendekut tatimor si rezultat i mos deklarimit të të ardhurave nga personat me të ardhura të larta”, thuhet në njoftim.
Fushëveprimi i këtij projekti do të jetë i shtrirë në kategorinë e personave si në vijim:
Kategoria I – Personi, pasuria e të cilit është mbi 1 milion euro deri në 5 milionë euro;
Kategori II – Personi, pasuria e të cilit është mbi 5 milionë euro deri në 10 milionë euro;
Kategoria III – Personi, pasuria e të cilit është mbi 10 milionë euro deri në 20 milionë euro; dhe
Kategoria IV – Personi, pasuria e të cilit është mbi 20 milionë euro.
Administrata Tatimore e Kosovës, u bënë thirrje të gjithë personave që të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor, gjegjësisht të deklaroni dhe të paguani saktë tatimin, në të kundërtën, do të ndërmerren masat e përcaktuara me legjislacionin tatimor.
“Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju kontribuoni direkt në ofrimin e shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, shërbime më të mira shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore. Paguaj tatimin, fuqizo shtetin!”/ Monitor