Vezët konsiderohen si baza e çdo mëngjesi thuajse në të gjitha vendet e botës. Mirëpo para shumë vitesh nuk ka ekzistuar ky “mit”. Mëngjesi nuk konceptohet dot pa vezë, të ziera apo të skuqura.
Njerëzimi ka ngrënë vezë shpendësh e kafshës në çdo epokë, por në rastin e pulës, nisi të bëhej pjesë e çdo shtëpie që në vitet 7,500 para Krishtit. Ndryshe ndodhi me vaktin e mëngjesit. Romakët e lashtë e nisnin ditën duke ngrënë bukë, djathë, ullinj, sallata, vezë, fruta të thata dhe mishra të ftohtë.
Ideja e të ngrënit vezë në mëngjes u rishfaq në Evropë në vitin 1620 nga mjeku Tobias Venner. Ai sugjeronte se ngrënia e vezëve në mëngjes ishte një ide e shkëlqyer.
Më pas, ishin evropianët të cilët e shtynë darkën në orë të vona, gjë që lindi nevojën për një vakt tjetër më të hershëm. Kështu mëngjesi u kthye në një vakt të pazëvendësueshëm në fillimet e viteve 1800 dhe veza u bë protagonistja kryesore.