Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Jorgo Goron.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Igerta Hysi, sot më 30.04.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 17 akti, datë 25.04.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim J.G. dhe B.A., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 31, datë 23.03.2024, verifikuar me vendimin nr. 34, datë 26.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 31, datë 23.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 34, datë 26.03.2024 të së njëjtës gjykatë, për pjesën e ankimuar nga personat nën hetim J.G. dhe B.A”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ky i fundit u arrestua me urdhër të SPAK më 23 Mars të këtij viti për shpërdorim detyre në dy raste, teksa mbante detyrën e kreut të bashkisë Himarë.
Bashkë me të, nën hetim janë marrë edhe 4 persona. Për këta të fundit, SPAK ka ngritur dyshimet se kanë falsifikuar dokumente duke përfituar në kundërshtim me ligjin. Prokuroria e Posaçme thotë se Goro bashkë me Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, kanë përcjellë në insitucione të tjera dokumentet të falsifikuara duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit.