GJKKO ka dënuar me 11 vite Artur Ballën, kunatin e biznesmenit Rezart Taçi, dhe truprojën e këtij të fundit Bledar Lilo me 10 vite burg. Ato akuzohen nga Prokuroria e Posaçme për pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal. Nga ana tjetër, ditën e sotme gjykata vendosi që të konfiskojë shumën 18. 4 milion eurove.Ndërkohë, çështja për biznesmenin Rezart Taçi, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar është ndarë më vete.
Treshja akuzohet për pastrimin e mbi 18 milionë eurove të sekuestruara nga autoritetet që u tentua të transferoheshin sipas SPAK për llogari të italianit të Cosa Nostrës Francesco Zummo.
Sipas SPAK, Rezart Taçi, Artur Balla dhe Bledar Lilo, në bashkëpunim me bosin Cosa Nostrës Francesco Zummo , Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli organizuan një skeme komplekse financiare të kundraligjshme, të shtrirë në disa shtete të ndryshme. Organi i akuzës vijon argumentin se ky grup ka pasur si qëllim “pastrimin” e 18.4 milion eurove të cilat më pas janë sekuestruar.
Akuzat janë ngritur nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.