Vetëm pak ditë pasi u identifikuan 24 kompanitë fiktive që kanë përfituar rreth 200 milionë euro në lidhje me inceneratorët, SPAK-u bëhet me dije në rrugë jozyrtare se ka nisur verifikimin e tyre.
Sipas të dhënave, ka nisur edhe pezullimi i disave, ku tri të parat janë “Best Services”, “Froggy” dhe “Frogy 03”. Në të dhënat e publikuara nga denoncimet e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, bëhet me dije se ato i përkasin përkatësisht: “Frogy 03”, Vladimir Sheshit, “Froggy”, Enis Xhaferrit dhe Regan Merdanit dhe “Best Services”, Edmond Sheshit.
Ndonëse aferat e çmendura miliona-euroshe kanë përfshirë të gjallë, të vdekur, të pastrehë e persona që nuk kanë asnjë të ardhur për jetën e tyre, SPAK-u e ka parë të arsyeshme të lëvizë vetëm pas denoncimit të Kryemadhit, duke nisur verifikimet në bazë të emrave të kompanive fiktive të publikuara.
Por, pezullimi i kompanive që kanë përfituar miliona euro nga inceneratorët është pasuar nga një rast i pazakontë ditën e djeshme, kur në dyert e SPAK-ut është paraqitur një grua, e cila rezulton të mos ketë asnjë punë dhe për pasojë asnjë të ardhur, por jeton duke mbledhur kanoçe për të mbajtur frymën gjallë. Sipas të dhënave, ajo ka hyrë në godinën e SPAK për të qartësuar pozicionin e saj në skandalin e inceneratorëve, pasi ajo jo vetëm që nuk ka dijeni dhe nuk ka asnjë lidhje, por ajo nuk është përfituese e asnjë të ardhure në vendin tonë. Në fakt, asaj iu mbyll dera dhe nuk pati mundësi të kontaktonte asnjë prokuror për këtë çështje!
MILIONERJA’ NË SPAK
Quhet Merita Hajdari dhe emri i saj ka dalë lidhur me kompaninë fiktive “Elvis 03”. Ajo e shqetësuar së bashku me dy djemtë e saj, është paraqitur vetë ditën e djeshme në dyert e SPAK-ut, për t’u interesuar se çfarë ka ndodhur me identitetin e saj.
Gruaja kishte vendosur të paraqitej pranë Prokurorisë, pasi deri tani nga kjo strukturë nuk ka pasur reagim zyrtar nëse ka nisur marrjen në pyetje të viktimave të inceneratorëve. Madje edhe vetë ajo nuk u pranua të hynte në ambiente, duke e detyruar të largohej. Ajo tregoi se merret me mbledhje kanoçesh e mbetjesh dhe nuk ka lidhje me ato çfarë përmbajnë dokumentet ku lakohet emri i saj.
Por edhe pas këtij interesimi ajo nuk mori ndonjë tjetër përgjigje, ndërsa pohoi se do të interesohej edhe në polici pasi të afërmit e saj, dhe vete ajo ishin shqetësuar nga çfarë kishte dalë në media. Sipas të dhënave bëhet me dije se në dokumente rezulton se Gjyste Serrmi të kishte firmosur lëvizjen e 3 milionë eurove edhe pasi ishte ndarë nga jeta.
“ELVIS 03”
Në qendër të skandalit të inceneratorëve janë disa kompani, mes tyre edhe “Elvis 03”, të cilat kanë gjeneruar fatura fiktive ndaj kompanive të inceneratorëve me qëllim justifikimin e shpenzimeve nga këto të fundit, në një kohë që nuk kishin bërë asnjë punë reale.
E moshuara, e cila jeton duke mbledhur kanoçe dhe nuk ka asnjë lidhje me këtë skandal, por që dyshohet që e kanë përfshirë duke i vjedhur identitetin. Sipas të dhënave rezulton që emri i Merita Hajdarit të jetë përdorur që në vitin 2017, ku ajo rezulton se është autorizuar nga Gjyste Serrmi, pronare e vetme e kompanisë “Elvis 03”, për të bërë veprimet në QKB për pezullimin e aktivitetit ekonomik të kësaj kompanie.
Bashkë me emrin e saj, Gjyste Serrmi ka shtuar edhe nr. e ID-së së Merita Hajdarit, e cila më pas rezulton të ketë bërë veprimet në QKB. Në fakt, e gjitha kjo është një mashtrim, pasi Merita Hajdari, në kohën kur janë bërë këto veprime, mësohet se Gjyste Serrmi kishte ndërruar jetë. Sipas dëshmisë së të birit të saj, ndërkohë mësohet se po pas vdekjes, në fundin e korrikut të 2017- s e ndjera autorizonte Dashamir Ymerajn të ndërronte emrin e kompanisë nga “Elvis 03” në “Elvis 03” sh.p.k.