Senati francez i ka dhënë dritën jeshile të drejtës së abortit të grave. Vendimi që kjo e drejtë të përfshihet në Kushtetutë vjen pasi Dhoma e Ulët, Asambleja Kombëtare e aprovoi këtë projektligj në janar. Megjithatë hezitimin e disa senatorëve nga e djathta dhe qendra, projektligji u miratua me 267 vota pro dhe 50 kundër dhe 22 abstenime.
‘Ky votim është historik. Ne do të jemi vendi i parë në botë, që do të vendosim këtë të drejtë në kushtetutë në mënyrë që gratë të vendosin për trupin e tyre’, u shpreh ministri i Drejtësisë.
Projektligji tani do të dalë para ligjvënësve në një seancë të përbashkët në Parlamentin francez dhe pritet të miratohet nga shumica javën e ardhshme. Përkrahësit dhe mbështetësit e projektligjit thonë se aborti është një e drejtë themelore dhe një liri e garantuar që duhet të përfshihet në kushtetutë.
Asnjë nga partitë kryesore politike të Francës të përfaqësuara në parlament nuk e ka vënë në pikëpyetje të drejtën e abortit, e cila u dekriminalizua në 1975.
Qeveria e Emmanuel Macroni dëshiron që pika 34 e Kushtetutës të ndryshohet për të specifikuar se “ligji përcakton kushtet përmes të cilave ushtrohet liria e grave për të qenë në gjendje të kryejnë abort, e cila është e garantuar”.
E drejta e grave për të kryer abort në Francë është më e thjeshtë sesa në Shtetet e Bashkuara ose në disa vende të tjera të BE-së. Sipas një sondazhi në korrik të vitit të kaluar rreth 83% e francezëve janë të kënaqur me faktin që aborti është i ligjshëm.