Qeveria e Shqipërisë me një VKM të publikuar sot në Faqen Zyrtare bën me dije se është shtuar një tjetër pikë në vendimin Nr.501 të Këshillit të Ministrave për ngritjen e task-forcës për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë dhe dhënien e mbrojtjes së përkohshme ndaj shtetasve afganë.
Sipas kësaj pike të shtuar, qeveria vendos që t’u shtyhet në këtë mënyrë me 6 muaj të tjerë qëndrimi në territorin e Shqipërisë, refugjatëve afganë të vendosur aktualisht në vendin tonë.
VENDIMI I QEVERISË:
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.501, DATË 25.8.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN E MBROJTJES SË PËRKOHSHME SHTETASVE AFGANË DHE PERSONAVE PA SHTETËSI, ME VENDQËNDRIM TË PËRKOHSHËM OSE TË PËRHERSHËM NË REPUBLIKËN ISLAMIKE TË AFGANISTANIT, DHE PËR KRIJIMIN E TASK-FORCËS PËR MENAXHIMIN E FLUKSIT TË KËRKUESVE TË MBROJTJES NDËRKOMBËTARE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 82, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pas pikës 2, të vendimit nr.501, datë 25.8.2021, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Me përfundimin e afatit të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, personave, që ndodhen ende në territorin e Republikës së Shqipërisë, u shtyhet qëndrimi dhe me 6 (gjashtë) muaj të tjerë.”.
Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.