Autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje qytetarëve për kursimin e energjisë elektrike, duke paralajmëruar dimër të vështirë. Sipas paralajmërimeve, Kosova nuk do të ketë energji të mjaftueshme për furnizim gjatë këtij sezoni dimëror. Tashmë është shpallur edhe situata emergjente për 60 ditët e ardhshme.
Kriza energjetike që kaploi Kosovën dimrin e kaluar po parashikohet të jetë edhe më e madhe këtë dimër. Kosova nuk do të ketë energji të mjaftueshme për furnizim gjatë këtij sezoni dimëror. Kjo, ngase kapacitetet prodhuese janë më të vogla sesa kërkesat në treg.
Sigurimi i energjisë për periudhën e pikut në Kosovë, përveç prodhimit vendor bëhet edhe përmes importeve, ndërsa në rast të rënieve të njësive gjeneruese kjo realizohet përmes importeve emergjente ose ndonjëherë edhe me aplikimin e reduktimeve si masë e fundit për të mbajtur sistemin në balancë.
Qeveria Kosovës tashmë ka shpallur situatë emergjente në sektorin e energjisë. Kurse, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar në detaje problemet që priten të jenë me sektorin e energjisë elektrike këtë dimër.
Rizvanolli ka dhënë një parashikim krejtësisht pesimist për situatën me energjinë elektrike. Duke folur për dimrin që po vjen, ajo tha se është e vetëdijshme për situatën e vështirë, duke theksuar se Qeveria ka marrë të gjitha masat e nevojshme.
“Besoj është e qartë për të gjithë. Dimri i ardhshëm do të jetë tejet i vështirë për të gjithë Evropën, kjo do të na ndikojë edhe neve në masën që ne kemi nevojë për import të energjisë. Është mirë të jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që po na presin. Jemi duke i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe të realizueshme për një kohë të shkurtër. KEK-u është duke i bërë të gjitha përpjekjet që ndërhyrjet në blloqe të bëhen para dimrit. Duhet të kursejmë energjinë”, deklaroi Rizvanolli.
Shefja e Ministrisë së Ekonomisë foli edhe për marrëveshjen me Elektroserver për faturimin e energjisë në veri të Kosovës.
“Qeveria, ZRRE-ja dhe KOST-i kanë bërë përpjekje për realizimin e marrëveshjes. Ndërsa ngecjet janë kryekëput për shkak të anës tjetër, kompanisë Elektroserver. Është e rëndësishme të thuhet ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet në mënyrë që marrëveshja të realizohet sa më shpejt, edhe para afatit të paraparë në mënyrë që qytetarët në veri të vendit të fillojnë të paguajnë faturat e energjisë sa më shpejt që është e mundur”.
KESCO: Fajet për këtë situatë i ka Qeveria
Ndërsa zëdhënësi i KESCO, Viktor Buzhala ka deklaruar se faji për këtë hap do të mbetet te Qeveria, e cila pavarësisht që premtoi 90 mijë euro për kalimin e krizës – nuk e ka ekzekutuar akoma pagesën.
“Ne fillimisht kemi bërë kërkesë për hapje të shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave. Pastaj, si procedurë e rregullt e procesit kemi bërë kërkesë për të Hyrat Maksimale të Lejuara, të cilat janë bërë të ditura dje nga ZRrE. Si hap i radhës do të jetë propozimi ynë për tarifa që sigurojnë realizimin e atyre të hyrave. Por, ky propozim nuk është ende i gatshëm, do të bëhet gjatë këtyre ditëve. Deri tek kërkesa për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave ka ardhur pasi subvencioni prej 90 milionë euro nuk është paguar nga Qeveria e Kosovës dhe të njëjtën kohë çmimet e importit që janë sot, rreth 500 euro/MWh nuk janë të parapara në këtë lartësi në tarifat e aprovuar më herët. Si rrjedhojë e këtyre dy indikatorëve, është tejkaluar shifra 5 për qind e shpenzimeve mbi ato të parapara dhe është plotësuar kushti ligjor për aplikim të jashtëzakonshëm”.
Buzhala ka thënë po ashtu se nuk e dinë sa për qind do të shtrenjtohet rryma, por që ka pranuar se ngritje do të ketë. Madje thotë se vendi tashmë është futur në krizë energjetike e që sipas tij do të thellohet edhe më tej.
“Jemi në fazën kur kemi aplikuar për të hyrat maksimale të lejuara, ndërsa jemi në përgatitje të aplikimit edhe për tarifat, të cilat i mbulojnë ato të hyra. Të hyrat maksimale të lejuara, kërkesa është që të shkohet 466 milionë euro, që është 119 milionë euro mbi ato të aprovuara më herët që kanë qenë 347 milionë euro, mirëpo aty ishte paraparë edhe subvencionimi i qeverisë plus 90 milionë euro. Kështu që dallimi është 29 milionë euro aktualisht. Sa për qind i bie ngritja e tarifave të energjisë? Nuk ka ende përqindje, pasi që nuk është finalizuar kërkesa, dhe jemi ende në proces. Nuk mund të spekuloj për shifra… Por, ngritje do të ketë, sepse janë plotësuar parametrat dhe është tejkaluar 5 përqindëshi i shpenzimeve mbi ato të lejuara. Dhe kjo kur tejkalohet, sigurisht që plotësohen parametrat dhe kushtet ligjore për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor… A do të ketë krizë energjetike edhe nëse ndodh një ngritje e çmimit? Kriza energjetike është duke ndodhur sot, lëre më në dimër, është e pashmangshme. Indikatorët e tregojnë këtë”, thotë ai.
Kurse, ditë më parë shefi i Qeverisë, Albin Kurti, nuk e përjashtoi mundësinë e subvencionimit të energjisë elektrike.
“Ne gjithmonë jemi në ballë të betejave që i kanë qytetarët e Republikës, përfshirë këtu edhe subvencionimin që bëjmë. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithmonë ka ndarë mjete për subvencionim në mënyrë që kostoja të mos reflektohet, apo sa më pak të reflektohet te qytetari, pra është fjala për koston e shtuar në kushtet e krizës energjetike”, theksoi ai.
Qytetarët s’kanë mundësi të kursejnë energjinë
Visar Azemi, nga iniciativa rajonale “Balkan Green Foundation”, e cila synon promovimin e zhvillimit të energjisë, thotë se konsumatorët nuk mund të kursejnë rrymë kur nuk kanë alternativa për ngrohje.
Mundësia eventuale për kursim, sipas tij, është që Qeveria e Kosovës t’i subvencionojë pompat termike – apo kaldajat qendrore për ngrohje – për qytetarët.
“Kërkesa më e madhe në këtë periudhë është për ngrohje – këtu është problemi më i madh, sepse nuk ka ndonjë subvencionim të mirëfilltë ose alternativa për qytetarët që t’i ngrohin shtëpitë e tyre”.
Instituti për Politika Zhvillimore në Kosovë (INDEP) ka kërkuar nga ZRRE-ja rikthimin e bllok-tarifave dhe jo rritje të çmimit të rrymës. Bllok-tarifat kanë qenë pjesë e strukturës tarifore të energjisë elektrike në Kosovë nga viti 2006 deri në vitin 2017.
Sipas tyre, kur një ekonomi familjare ka shpenzuar më shumë se 600 kilovatë rrymë në muaj, çmimi për të ka qenë më i lartë në krahasim me familjet që kanë shpenzuar nën 600 dhe 300 kilovatë në muaj. Sipas INDEP-it, rikthimi i bllok-tarifave është një mundësi e mirë për kursimin e energjisë elektrike.
“Ne konsiderojmë që një strukturë tarifore, që bazohet në konsum të energjisë, do të bënte që të mos kemi shtrenjtim të energjisë për disa kategori që nuk shpenzojnë shumë. Pra, për këto kategori nuk duhet të ketë rritje të çmimit. Por, një çmim i ri duhet të ndodhë në kategoritë e familjeve që shpenzojnë më shumë energji, mbi 600 kilovatë, apo mbi 1,000 kilovatë”.
Sipas një analize të INDEP-it të bërë në kohën kur aplikoheshin bllok-tarifat, qytetarët e kanë kursyer energjinë elektrike. Sipas INDEP-it, struktura tarifore, që ka ndryshuar në vitin 2017, ka nxitur konsumatorët që të shpenzojnë më shumë energji elektrike, duke filluar përdorimin e saj edhe për ngrohje. ZRRE i ka hequr ato rreth pesë vjet më parë.
Kuvendi i Kosovës ka votuar ditë më për shpalljen e gjendjes emergjente në sektorin e energjisë elektrike. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 68 vota për e asnjë kundër, kanë votuar vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike.
Në kuadër të masave përfshihen masat mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit, ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave e masa të kursimit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.
Po ashtu këto masa obligojnë Ministrinë e Ekonomisë, që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave të propozojë masa mbështetëse për qytetarët. Në këtë kontekst, këto masa duhet të synojnë sigurimin e ngrohjes gjatë muajve të dimrit, si dhe të monitorojë dhe sipas nevojës të lehtësojë përgatitjet e ngrohtoreve për sezonin e dimrit.
Gjatë dimrit nuk përmbushen nevojat e konsumatorëve
Furnizuesi me Shërbim Universal të rrymës në Kosovës, KESCO, ka aplikuar zyrtarisht në Zyrën e Rregullatorit për Energji, për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të hyrave të lejuara maksimale. Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) kishte miratuar më 8 shkurt 2022 faturat e reja me rritje vetëm për një kategori të konsumatorëve, të cilat kanë hyrë në fuqi një ditë më vonë.
Konsumatorët pas kalimit të pragut prej 800 kilovatësh, diferenca e konsumit faturohet me 5.9 centë për kilovatë gjatë tarifave të ulëta dhe me 12.5 centë për kilovatë gjatë tarifave të larta. Nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.
Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë. Bazuar në statistikat e institucioneve në Kosovë, amvisëritë janë shpenzuesit kryesorë të rrymës totale që prodhohet në vend.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), me dy termocentralet, Kosova A dhe Kosova B, mund të prodhojë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Diferenca tjetër sigurohet nga importi. Sipas ZRRE-së, Kosova vitin e kaluar ka importuar 1.311.461 megavat rrymë.
Përveç, ngritjes së çmimit, gjatë muajve të ardhshëm është e pritshme që disa nga shtetet e Evropës të ndalojnë eksportin e lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 50 për qind e sektorit të amvisërisë shfrytëzojnë biomasë (dru zjarri dhe pelet), kurse energjia elektrike më shumë shpenzohet nga sektori i biznesit dhe ai i shërbimeve.
Tashmë qytetarët e Kosovës po përballen me inflacion të lartë e me krizë ekonomike, e cila ka bërë që të rriten çmimet e produkteve bazë. Në qershor të këtij viti, inflacioni ka shkuar në 14,1%, duke shënuar rekord që nga shpallja e pavarësisë.
Diskutimet mbi sektorin e energjisë në Kosovë kanë filluar në fund të vitit të kaluar kur në Kosovë filluan reduktimet e energjisë elektrike, si pasojë e një krize globale energjetike. /monitor