“Në parim, të gjithë do të duhet të japin kontributin e tyre në shpenzimet publike, në funksion të kapacitetit të tyre kontribuues”. Kuptimi i kësaj shprehjeje shpesh varet nga këndvështrimi nga i cili lexohet.
Nëse lexohet me “njërin sy”, ky parim është, në radhë të parë, një garanci për shtetasit ndaj politikave të qeverisë, që detyrojnë tatimpaguesin të paguajë tatime mbi bazën e treguesve që nuk shprehin në mënyrë reale dhe efektive kapacitetin e tij kontribuues.
Nëse lexohet me “syrin tjetër”, ky parim nuk është gjë tjetër, veçse një zbatim i posaçëm i detyrimit qytetar dhe kushtetues të solidaritetit. Nëpërmjet këtij të fundit, shpesh tentohet të legjitimohet, në çfarëdolloj forme, përqasja e shtetit, si në momentin kur imponon taksa, ashtu edhe në momentin kur i mbledh ato, nëpërmjet akteve normative të organeve tatimore.
Në fakt, korrekt do të ishte balancimi i të dy interesave thelbësore që mbron ky parim, duke marrë për bazë kriterin e ashtuquajtur të “Barazisë”. Barazi nuk do të thotë që shteti nuk mund të imponojë, në raste të ndryshme, regjime të ndryshme tatimore.
Barazi do të thotë që shteti duhet të garantojë për gjithsecilin trajtim të barabartë, kur kushtet subjektive dhe objektive, të cilat u referohen dispozitave normative tatimore, janë të njëjta.
Me fjalë të tjera, kjo do të thotë që, në fushën tatimore, barriera e pakalueshme për çdo qeveri, baza dhe kufiri i veprimit të saj, është “Arsyeja”, që shpesh nuk e shohim të veprojë. Dhe, ashtu siç pritej, qeveria shqiptare nuk na zhgënjeu me mungesën e arsyes.
Ky vit nisi me paqartësi të shumta për 29 mijë profesionistë të lirë, të cilëve u ka ndryshuar tërësisht regjimi fiskal. Që nga 1 janari 2024, profesionistët e lirë në Shqipëri, me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, do të paguajnë tatim mbi fitimin në shkallën 15%.
Fitimi i tatueshëm, sipas ligjit, do të llogaritej duke zbritur nga të ardhurat totale një vlerë të njohur apriori shpenzimesh në masën 30% (për të ardhurat deri në 10 milionë lekë), ose në rast të kundërt duke mbajtur kontabilitet të plotë të të ardhurave dhe shpenzimeve.
Tatimpaguesi ka të drejtë të zgjedhë se cilën metodë do të zbatojë. Ndërkohë, profesionistët e lirë, me qarkullim vjetor mbi 14 milionë lekë, do të tatohen në masën 23% të fitimit.
Në prill, profesionistëve iu publikuan në sistem deklaratat për këstet e ashtuquajtura “Këste paraprake të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi”.
Së pari, kishte paqartësi në termat e përdorur, duke detyruar administratën të fshijë nga sistemi njoftimin e vlerësimit.
Së dyti, me llogaritjet për parapagimin e tatimit të thjeshtuar nga administrata tatimore nuk është marrë parasysh zbritja e shpenzimeve 30%, por vetëm shpenzimet e deklaruara nga biznesi, duke bërë që këstet të rezultonin mjaft të larta në raport me përllogaritjet paraprake të biznesit, bazuar në logjikën e ligjit.
Shkalla tatimore 15% për tatimin mbi fitimin u llogarit në bazë të të ardhurave, shpenzimeve dhe fitimit të deklaruar nga vetë subjektet për 2023 që u përfshinë në regjimin e ri, më parë të përjashtuara nga tatimi. U veprua në këtë mënyrë, pasi nga administrata tatimore nuk u arrit të bëhej gati formulari i ri i deklarimit të të ardhurave./ Monitor