Në Maqedoninë e Veriut sot zgjidhet presidenti i ri i vendit. Qendrat e votimit janë hapur që në orën 07:00 dhe mbyllen në orën 19:00. Votimi ka nisur pa probleme dhe të gjitha qendrat janë hapur në kohë.
Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i gjithë procesi po shkon rregullisht ndërsa pjesëmarrja është më e ulët krahasuar me procesin e kaluar. Më herët gjatë së martës kanë votuar qytetarët e diasporës, të burgosurit, të sëmurët dhe ata që qëndrojnë në azilet e të moshuarve. Me të drejtë vote janë mbi 1.8 milionë qytetarë ndërsa këto janë zgjedhjet e 7-ta presidenciale që nga pavarësia e vendit.
Në garë në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve janë 7 kandidatë mes tyre edhe dy shqiptarë, Bujar Osmani dhe Arben Taravari. Nëse asnjë prej kandidatëve nuk merr mbi 50% te votave, atëherë dy kandidatët më të votuar do të shkojnë në balotazhin e 8 majit. Në këtë datë do të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. Pritet që rezultatet e para të votimeve të sotme të dalin rreth orës 23:00.