Që prej vitit 2019, kur u krijua programi i bonusit të bebes më shumë se 210 mijë fëmijë kanë përfituar mbështetje nga qeveria. Lajmin e ndau Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale duke nënvizuar se edhe në buxhetin e këtij viti, vijon të financohet programi i bonusit të bebes me një vlerë prej 2.2 miliardë lekësh në mbështetje të familjeve që jetojnë e kontribuojnë në Shqipëri.
Me anë të bonusit të bebes mbështeten familjet shqiptare në masën 40 mijë lekë për lindjen e foshnjës së parë, 80 mijë lekë për foshnjën e dytë dhe për foshnjën e trete vlerën prej 120 mijë lekësh.
Vitin e kaluar Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratoi propozimin e ministrisë së Shëndetësisë që bonusi i bebeve nuk do të jepet më për fëmijet e familjeve që jetojnë jashtë territorit shqiptar.
Ky hap u ndërmor pasi analizat mbi përfitueshmërinë e programit tregonin se shumica e përfituesve ishin familjet e fëmijëve të lindur nga prindër shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, në një kohë kur prioritet është mbështetja e atyre që lindin e jetojnë në Shqipëri.