Ernest Muçi realizoi golin e tretë në Superligën Turke. Sulmuesi shqiptar zhbllokoi rezultatin në minutën e 17’ në fitoren 2-0 ndaj Ankaragucu e vlefshme për javën e 33’. Aksioni nisi pikërisht nga Muçi, i cili me goditjen e tij nuk i dha mundësi portierit të reagonte.
“Problemi qëndronte se pësonim gol lehtësisht, por sot nuk ndodhi. Të vazhdojmë kështu. Duhet të harrojmë të kaluarën dhe të përpiqemi të japim më të mirën e mundshme. Ne luajtëm mirë si skuadër.”
Besiktas u kthye te fitorja në kampionat pas 5 takimesh humbje e barazime, që sollën edhe shkarkimin e trajnerit Fernando Santos.
Superligës Turke i kanë mbetur edhe 5 javë deri në fund dhe skuadra e Ernest Muçit renditet në vendin e katërt pozita e fundit për pjesëmarrje në kupat e Europës. Besiktas është në garë edhe në Kupën e Turqisë ku do të përballet me Ankaragucu në gjysmëfinale.