Kosova është anëtarësuar në Këshillin e Europës. Raporti i raportueses Dora Bakojanit mori 131 vota pro dhe 29 kundër në Asamblenë e KiE.
Serbia bëri tentativa përmes disa amendamenteve që të pengonte anëtarësimin e Kosovës në KiE, por u rrëzuan të gjitha me shumicë votash në Asamble.
Pas anëtarësimit të Kosovës në KiE, pati duartrokitje nga pjesëmarrësit në votim.
Euroraportuesja Dora Bakoyannis në raportin që prezantoi, tha se Kosova është demokraci funksionale.
“Kosova shihet si demokraci funksionale, parlamentare me garanci të forta për pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejta themelore të njeriut të përligjura në Kushtetutë. Zgjerimi i juridiksionit të Gjykatës Europiane drejt Kosovës do të kontribuonte në masë të konsiderueshme për respektimin e të drejtave të njeriut“.
Për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ajo ka thënë se duhet trajtuar në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që e udhëheqë BE-ja.
“E shoh themelimin e Asociacionit si çështje e njëanshme, vendore e Kosovës që ndikon vetëm te qytetarët e Kosovës. Duke e pasur këtë parasysh kam bërë çdo përpjekje drejt materializimit të saj. Fatkeqësisht, kjo çështje nuk ka arritur të negociohet. Marrëveshja e fundit e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë thotë se “çdo lloj negociate për themelimin e tij duhet të bëhet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.Si rezultat, Asociacioni, fatkeqësisht, është përtej mbulimit tonë, edhe nëse Komiteti i Ministrave inkurajohet fuqimisht që ta marrë parasysh këtë çështje“.