Struktura e punësimit në vend vijoi të dominohet nga vetëpunësimi edhe në vitin 2023. Të dhënat zyrtare nga INSTAT, që burojnë nga Anketa e Forcës së Punës, tregojnë se në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, të vetëpunësuarit kontribuuan në rreth 30% të totalit të punësimit, nga rreth 31% që ishte në vitin 2022.
Në tremujorin e fundit të 2023 ishin të punësuar gjithsej 1,324,773 persona, ku rreth 30% e tyre (mbi 397 mijë ishin të vetëpunësuar). Shqetësimet mbi vetëpunësimin lidhen me faktin se shumica nuk paguajnë sigurime shoqërore, duke investuar në varfërinë e tyre në moshën e pensionit.
Të dhënat nga Anketa e Forcës së Punës tregojnë se vitin e kaluar, vetëpunësimi u luhat në një mesatare prej 397 mijë personash, por vetëm 215 mijë kishin paguar sigurime shoqërore. Krahasimi i të dhënave tregon se vetëm 54% e të vetëpunësuarve paguajnë sigurime. Të vetëpunësuarit zunë vetëm 16% të totalit të kontribuuesve në vitin 2023, teksa zënë 30% të punësimit në vend.
Institucionet Financiare Ndërkombëtare kanë këshilluar qeverinë shqiptare që të forcojë masat rregullatore për përfshirjen e të vetëpunësuarve në skemën e sigurimeve në mënyrë që të shmangen problemet sociale që kjo shtesë mund të ketë në moshën e pensionit.
Shqipëria renditet ndër vendet me peshën më të madhe të vetëpunësimit në Europë, ku popullsia në moshë pune vetangazhohet në biznese familjare si tregtia, shërbimet apo zanatet.
Pjesa më e madhe e të vetëpunësuarve në vend janë me arsim të ulët. Sipas INSTAT, gati 41% e të punësuarve më arsim 8-9-vjeçar e fitojnë jetesën nëpërmjet vetëpunësimit. Edhe ata me arsim të mesëm tentojnë që të hapin bizneset e tyre, me vetëpunësimin që zë 34% të kësaj kategorie.
Ndryshe është për personat që kanë arsim të lartë, që duket se e kanë më të lehtë që të gjejnë një punë në biznese që nuk i kanë hapur vetë. Vetëm 12% e të punësuarve me arsim të lartë janë të vetëpunësuar.
Meshkujt janë më të prirë të hapin sipërmarrje, me 38% të tyre që janë të vetëpunësuar, kundrejt 25% të femrave.
Sipas grupmoshave, përqindja më e lartë e vetëpunësimit rezulton te personat që janë mbi 65 vjeç (60%) dhe më e ulëta për të rinjtë deri në 24 vjeç (20%)./ Monitor