Prej disa kohësh, Rose Hanbury e ka gjetur veten në qendër të vëmendjes së mediave për shkak të një lidhjeje të supozuar me Princin William. Por ajo me sa duket ka vendosur të mos e tolerojë më këtë gjë dhe thuhet se ka ndërmarrë veprime ligjore kundër Stephen Colbert për rikthim në fokus të historisë së saj të dyshuar me Princin e Uellsit.
Sipas In Touch Weekly, Markezja e Cholmondeley i dërgoi një njoftim ligjor drejtuesit të talk show-it për shakanë e tij të pandjeshme për lidhjen e dyshuar të çiftit. Avokatët e Hanbury-t gjithashtu përmendën në një deklaratë të dhënë për median se thashethemet e lidhjes nuk kanë asgjë të vërtetë dhe se akuzat kundër klientës së tyre dhe Princit William janë të rreme.
“Thashethemet duket se janë publikuar në mediat kryesore kohët e fundit si rezultat i një shakaje të bërë për të në The Late Show with Stephen Colbert,” -thanë ata. “Ne u kemi shkruar në emër të klientit tonë CBS-së dhe organizatave të tjera të medias me reputacion për të konfirmuar se pretendimi është i rremë.”
Thashethemet se William e tradhtoi gruan e tij morën hov sërish pasi Colbert i diskutoi ato në shfaqjen e tij The Late Show with Stephen Colbert.