Një operacion antidrogë u ndërmor në orët e vona të mbrëmjes së 21 marsit 2024 në Tiranë. Pikërisht në rrugën “Mihal Duri”, pranë Lidhjes së Shkrimtarëve policia dhe agjentët e antidrogës kanë ndaluar një makinë pasi kishin informacion se po transportohej drogë.
Policia informon se ‘Gjatë momentit që stuktura operacionale ka tentuar të ndalojë automjetin tip “VolksQagen Tiguan” me ngjyrë të bardhë me targë AB 780 MP, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrave të policisë për të ndaluar dhe ka ecur mbrapsht duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe duke përplasur me qëllim shmangien automjetin e sherbimit të policisë.’
Shoferi i makinës i identifikuar si Enea Sulejmani duke ecur indietro me makinë ka goditur 3 agjentë të antidrogës dhe ka dëmtuar makinën e policisë.
Në kushtet e vetëmbrojtjes një prej policëve ka qëlluar me armë dhe plumbi e ka kapur në pjesën e kofshës.
I plagosuri ka marrë plagë në kofshë dhe është dërguar menjëherë në spitalin e traumës nga punonjesit e policisë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të makinës u gjet një pako me peshë rreth 1 kg brenda së cilës dyshohet se lende narkotike kokainë. Gjithashtu në automjet me Sulejmanin janë konstatuar dhe dy persona të tjerë të cilët janë shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta, përfshirë edhe AMP-në. Në vendngjarje ndodhet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Së Shtetit Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj.