Juventusi ka interes për mbrojtësin e kombëtares shqiptare Mario Mitaj. Futbollisti 20 vjeçar shikohet si një investim me perspektivë dhe me potencial te “Zonja e Vjetër”. Sipas gazetës sportive torineze “Tuttosport”, drejtori sportiv i “Zonjës së Vjetër”, Kristiano Xhuntoli do të vëzhgojë futbollistin në takimin miqësor të 22 marsit, që Shqipëria do të luajë kundër Kilit në stadiumin e Parmës, “Enio Tardini”.
Ishte Edi Reja që besoi te Mitaj, duke e aktivizuar në përfaqësuese në sfidën kundër San Marinos më 31 mars 2021, kur ishte vetëm 17 vjeç, 7 muaj e 25 ditë. Xhuntoli mendon se mund të bëjë me Mitajn një goditje të madhe, me një impakt si ajo e yllit të Napolit, Kvara. Aktualisht Mitaj është pjesë e skuadrës së Lokomotivës së Moskës. Klubi pagoi 3 milionë euro për ta blerë nga AEK i Athinës në verën e 2022.
Te Juvja i shikojnë të lehta negociatat, duke qenë se edhe menaxheri i futbollistit është italian, Silvio Paljari. Në Serie A luajnë emra të rëndësishëm të kombëtares shqiptare të futbollit si Gjimshiti, Asllani, Ramadani, Hysaj, Berisha. Kumbulla, apo Ismajli.