“Një ofertë fantastike me potencial të jashtëzakonshëm ku do të negociohet dhe pjesëmarrja e shtetit shqiptar në këtë investim”, kështu e cilësoi kryeministri Edi Rama projektin e dhëndrit të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump për resortet në Sazan.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve Rama sqaroi se propozimi ka ardhur në Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA ) dhe se momentalisht projekti është propozim dhe do të kalojë të gjitha hallkat e shqyrtimit të tij.
”Ne nuk zgjedhim persona por në bazë të legjislacionit shqiptar i referohemi ofertave dhe propozimeve që na bëhen. Transformimi i Sazanit në një xhevahir të kurorës së artë të turizmit mesdhetar është ambicie e kahershme. Për hir së vërtetës e kanë pasur dhe qeveritë dhe paardhasësit e mi. Nuk është bërë ende realitet. Më parë ka qenë e paimagjinueshme të afroheshin investitorë në Shqipëri
Sot Shqipëria është bërë një adresë gjithmonë e më e kërkuar jo vetëm nga turistët por dhe investitorët. Ne jemi absolutisht të kënaqur që kemi propozim. Propozimi nuk është ende në procesin e domosdoshëm ku udhet të kialojnë disa shkallë. Është bërë aplikimi sipas ligjeve në fuqi në agjencinë tonë AIDA. Do ta shqyrtojmë nëse projekti përputhet me vizionin tonë e domosdoshmërinë e krijimit të një ekuilibri të domosdoshëm mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës duke e kthyer natyrën në asetin kryesor do të ecim përpara” tha Rama.
Deklaratat u bënë pas takimit që Rama pati në selinë e PS-së me drejtuesit politikë të qarqeve. Takim nisi rreth orës 09:00 dhe zgjati 1 orë. Mbledhja ishte në kuadër të punës për rienergjizimin e Partisë Socialiste.