Arratia e Quincy Promes nuk ka zgjatur shumë. Ish-futbollisti i kombëtares së Holandës është arrestuar në Dubai, pasi mbi të rëndon akuza e kontrabandës së kokainës. Futbollisti i Spartakut të Moskës është dënuar me gjashtë vite burg, për bashkëpunim në kontrabandën e 1,370 kilogramëve kokainë.
Ai akuzohet si i përfshirë në import dhe eksport të drogës së klasit A. 32-vjeçari është kapur në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe autoritetet holandeze kanë kërkuar ekstradimin e tij në Holandë. Promes ishte përfshirë drejtpërdrejt me dërgesat e kokainës nga Brazili përmes portit belg të Antëerp me destinacion Holandën.
Sipas raportimeve të ndryshme të mediave, Promes po jetonte mes luksit në Dubai. Për momentin ai gjendet në paraburgim dhe në ditët e ardhshme pritet ekstradimi drejt Holandës. Promes u dënua me gjashtë vjet burg nga një gjykatë e Amsterdamit në muajin shkurt. 32-vjeçari kishte udhëtuar drejt Dubait në muajin janar, ku po kryente stërvitje me ekipin e tij.
Kjo nuk është hera e parë që sulmuesi holandez ka probleme me drejtësinë. Në dhjetor të vitit 2020 ai u dënua me 1.5 vite burg pasi dyshohet se goditi me thikë kushëririn e tij, por që nuk qëndroi asnjë ditë pas hekurave. Promes ka zhvilluar 50 takime dhe ka shënuar shtatë gola me kombëtaren holandeze.