Eliminimi i Napolit sjell 50 mln Euro në arkat e torinezëve, apelon De Laurentiis
Eliminimi i Napolit rikthen buzëqeshjen te Juventusi. Torinezët garantojnë biletën për të qenë pjesë e Botërorit të Klubeve, duke iu bashkuar kështu skuadrës tjetër italiane, Interit. Bardhezinjtë përfituan në maksimum nga dështimi i dy ekipeve të Serie A, Lazio dhe Napoli për tu bërë pjesë e turneut të FIFA-s që për herë të parë do të jetë me 32 skuadra, i cili do të organizohet çdo katër vjet duke përfshirë klube nga e gjithë bota.
Me këtë kualifikim, Juventus do të marrë të paktën 50 milionë euro vetëm për pjesëmarrjen, me shifrat që do të rriten në varësi të asaj që do të tregojë në fushën e lojës. Bardhezinjtë bëhen skuadra e 10-të Europiane që kualifikohet për këtë turne, i cili do të zhvillohet në SHBA nga 15 qershori deri më 13 korrik të vitit të ardhshëm. Edicioni i parë i këtij formati të ri do të luhet me tetë grupe me katër skuadra. Bonusi parave për 32 klubet e përfshira në kompeticion është rreth 2.5 miliardë euro.
Juventus kualifikohet pavarësisht se mungoi në kompeticionet e UEFA-s këtë sezon, diçka që ka nervozuar jo pak edhe Napolin. Presidenti i kampionëve të Italisë, Aurelio de Laurentiis ka premtuar se do ta ndjek ligjërisht këtë situatë, me preteksin se ai vend duhet të rezervohet për skuadrën jugore.