Me paraqitjet e bëra 19 golat e shënuar në kupë dhe kampionatin turk, Rey Manaj duket se e ka detyruar trajnerin e kombëtares Silvinho t’i bëjë një ftesë për ta rikthyer në kombëtare.
Stafi teknik ende nuk ka bërë publike listën e futbollistëve, që pritet të zyrtarizohet më 15 Mars, por lëvizjet e Sylvinho dhe zëvendësve të tij si dhe interesimi i tyre për Manaj tregojnë se sulmuesi i Sivasspor do të jetë një prej lojtarëve që do të grumbullohen për dy miqësoret, ndaj Kilit dhe Suedisë.
Rey Manaj është në formën e tij më të mirë. 26-vjeçari po tregon se ka arritur pjekurinë si sulmues duke qenë i vlefshëm për skuadrën e Sivasspor, me gola të shënuar me 11-metërsha, gola nga brenda dhe jashtë zone si dhe me goditje dënimi.
Manaj e ka merituar ftesën me golat e tij, por në listën e miqësoreve të fundit të muajit do të jetë edhe Armando Broja.
Sulmuesi i Fulham konsiderohet si lojtar i rëndësishëm për kombëtaren. Paraqitjet e tij në Premier League kanë qenë të pakta, por energjia dhe vizioni i tij për lojën e bëjnë Brojën lojtar të nevojshëm për përfaqësuesen.
Broja duhet të jetë i pranishëm ndaj Kilit dhe Suedisë për t’u integruar edhe një herë në skuadër. Hera e fundit në kombëtare është në Nëntor të 2022 në miqësoren me Italinë të luajtur në Air Albania. Por mund të ketë edhe surpriza.
Mësohet se trajneri Sylvinho mund të grumbullojë edhe një futbollist që do të veshë për herë të parë fanelën e kombëtares.