Inter fitoi me rezultatin 4 – 0 ndeshjen e prapambetur të kampionatit me Atalanta. Zikaltërit treguan forcën e tyre të mërkurën në San Siro duke u shkëputur 12 pikë nga vendi i dytë Juventus.
Golat në këtë përballje për Inter u realizuan nga Darmian, Lautaro Martinez, Dimarco dhe Frattesi.
Kapiteni i Inter shkoi në kuotën 23 në këtë sezon të Serie A. Shqiptari Kristjan Asllani e nisi si titullar këtë takim, por pa arritur të shënojë ose dhënë asist.
Napoli arriti fitoren e parë nën drejtimin e Francesco Calzona, një triumf i thellë 6 – 1 në fushën e Sassuolo.
Një ndeshje që nisi me golin e vendasve por më pas u zotërua nga miqtë ku mbi të gjithë spikati Osimhen autor i 3 golave.
Në listën e shënuesve ishte edhe kapiteni i Kosovës, Armir Rrahmani. Për Sassuolo ishte në fushë nga minuta e parë Nedim Bajrami, i cili u aktivizua për 77 minuta, ndërsa u rikthye pas 10 muajsh mungesë Marash Kumbulla.