Udhëheqësi më i rëndësishëm i opozitës ruse, Alexei Navalvy, ka ndërruar jetë në burgun siberian. Kjo ishte deklarata që dha një departament lokal i Shërbimit Federal të Burgjeve.
Kundërshtari i Putin po vuante dënimin me 19 vjet burg për vepra penale, që konsiderohen gjerësisht të motivuara politikisht. Ai u arrestua në vitin 2021.
Sipas informacioneve, Navalny u ndje keq pas një shëtitje. Mediat e kontrolluara nga Rusia po ashtu kanë cituar këtë deklaratë, duke raportuar se Navalny, 47 vjeç, ka vdekur.
“Më 16 shkurt të këtij viti, vdiq i burgosuri Navalny. Ai u ndje keq pas një shëtitjeje, pothuajse menjëherë humbi vetëdijen. Menjëherë kanë mbërritur punonjësit mjekësorë nga institucioni dhe ekipi mjekësor i urgjencës. “U kryen të gjitha masat e nevojshme reanimuese, por nuk dhanë rezultate pozitive. Mjekët e urgjencës konfirmuan vdekjen e të dënuarit. Shkaqet e vdekjes janë duke u konstatuar”” thuhet në deklaratë.
Bashkimi Europian bën përgjegjës regjimin rus, ndërsa Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, thotë se e vrau Kremlini. Zelensky komentoi vdekjen e disidentit duke thënë se “Navalny u vra” dhe “Putini do të duhet të përgjigjet për krimet e tij. “Putini vret gjithmonë”.
Kremlini: ‘Perëndimi ka përfundime të gatshme’
Pesidenti rus Vladimir Putin është informuar për vdekjen e Alexei Navalny në burg, konfirmon zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. Pas reagimeve të ndërkombëtarëve që bëjnë përgjegjës regjimin rus zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova thotë se ‘Perëndimi ka përfundime të gatshme’. Në një deklaratë në Telegram, ajo shkroi se rezultatet e analizës mjeko-ligjore të shkakut të vdekjes së Navalny nuk janë aktualisht të disponueshme.
Zëdhënësja e Navalny: ‘Nuk kemi asnjë konfirmim’
“Ne nuk kemi ende ndonjë konfirmim. Avokati i Alexey aktualisht po udhëton për në Kharp. Sapo të kemi informacion, ne do ta raportojmë atë,” shkroi në X zëdhënësja e Navalny, Kyra Yarmish.
TV shtetëror rus: ‘Vdiq nga një mpiksje gjaku’
Alexey Navalny thuhet se vdiq nga një emboli, ose ndryshe mpiksje gjaku. Kështu shkruan televizioni shtetëror RT.