Milan mban gjallë shpresat për titullin kampion në Serie A italiane. Kuqezinjtë arritën të fitonin minimalisht 1-0 ndaj Napolit, për të qenë kështu në garë të plotë me Interin dhe Juventusin. Kundër jugorëve vendosi një gol i mbrojtësit, Theo Hernandez. Francezi ishte fenomenal në aksionin e ndërtuar prej shokëve të skuadrës, për të goditur saktë dhe dhënë kështu fitoren e radhës skuadrës së Stefano Piolit.
Mbrojtësi është një nga dy mbrojtësit, krahas Jeremie Frimpong të Leverkusen që ka shënuar më shumë gola në takimet e zhvilluara në “San Siro” në 5 kampionatet kryesore të Europës, në kuotën e 4 golave. Stefano Pioli barazohet me Arrigo Sacchi si trajneri i pestë i Milan me 220 ndeshje në stol, duke marrë parasysh të gjitha garat, pas vetëm Ancelotti, Rocco, Capello dhe Liedholm.
“Nuk e di nëse kjo është më e mira që mund të kishim bërë. Ne kemi bërë mirë në takimet e fundit, pothuajse në nivelin e një skuadre si Interi që po bën një sezon të jashtëzakonshëm. Nuk ka kuptim të shikojmë pas, duhet të ecim përpara, të përpiqemi të vazhdojmë të marrin pikë në kampionat dhe të avancojmë në Europa League. Kjo nuk do të jetë aspak e lehtë”, tha Pioli.
Milan ka fituar 52 pikë pas 24 ndeshjeve të paratë Serie A këtë sezon, duke bërë më mirë vetëm dy herë. Gjithsesi, ecuria është fantastike e kuqezinjve, të cilët kishin grumbulluar kaq pikë edhe në sezonin ku fituan Skudeton, por me ndryshimin e vetëm që janë në ndjekje të Interit dhe Juventus. Zikaltërit, kanë 8 pikë më shumë se ta, por me një ndeshje më pak të luajtur.