Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Hajrulla Çeku ka njoftuar se çdo gjë për të nisur punimet në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë është gati.
Ai u shpreh se shpronësimet kanë përfunduar dhe se borxhet e akumuluara ndër vite janë paguar dhe se Kosova do të bëhet me dy stadiume të certifikuara ndërkombëtarisht.
“E gjatë dhe e mundimshme ishte rruga për t’i përmbyllur të gjitha procedurat që do të duhej të kishin mbaruar në vitin 2019, para nisjes së renovimit. Shpronësimet kanë përfunduar, kushtet e ndërtimit dhe leja ndërtimore janë siguruar, borxhet e akumuluara ndër vite (komunalitë) janë paguar, kontrata me operatorin është zgjatur, zotimi për buxhet është siguruar. Punët do t’i monitorojmë në baza ditore, asnjë vonesë nuk do të tolerohet. Kosova do të bëhet edhe me dy stadiume të certifikuara ndërkombëtarisht, shkroi Çeku.