Historia nuk favorizon kampionët e dimrit në Angli dhe kjo duket se ka ndikuar në formën e Arsenalit. Për të dytin takim radhazi, londinezët nuk kanë arritur të marrin 3 pikëshin, madje këtë herë duke pësuar humbjen e parë në shtëpi për këtë sezon. 0-2 ishin shifrat e takimit të zhvilluar kundër West Ham, me skuadrën e Mikel Artetës që humbet kështu kontaktet me kreun e renditjes.
Edhe pse dominuan në çdo aspekt, Arsenal nuk arriti që të shënojë në portën e West Ham, që gjeti rrugën e rrjetës dy herë në tre tentativa. Në fund të sfidës, West Ham kishte mundësinë për ta dërguar në 3-0, por gabuan nga 11-metërshi.
“Objektivi ynë ishte të fitonim ndeshjen dhe të ngjiteshim në krye të klasifikimit. Jam shumë i zhgënjyer nga rezultati, edhe pse ishim ne ata që e dominuam lojën. Dominuam 100 minuta ndeshje, lojtarët u shfaqën disa herë të lirë brenda zonës kundërshtare dhe jam i bindur se dhuruan maksimumin e tyre. Ishte një atmosferë e rënduar në dhomat e zhveshjes, por na ndajnë vetëm 72 orë nga ndeshja e radhës. Pavarësisht humbjes jemi në pozita të favorshme dhe duhet të përgatitemi për një tjetër sfidë delikate si ajo ndaj Fulham. Ky është futbolli, duhet të vazhdojmë të përmirësohemi’’, u shpreh trajneri i Arsenalit.
Dy humbje në 4 takimet e fundit për Arsenalin e vendit të dytë, që shikon Liverpul në epërsinë e dy pikëve pas fazës së parë të sezonit. Ndërkaq, për West Ham kjo ishte fitorja e tretë radhazi, me çekiçët që ngjiten në renditje dhe afrohen akoma dhe më shumë me zonën e Kupave të Europës.