Ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj ka kallëzuar në SPAK ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja për shpërdorim detyre. Goxhaj ka ngritur akuza ndaj ministrit Manja lidhur me procedurat dhe pranimin e kërkesave të Gjykatës Speciale të Kosovës për ekstradimin e tij.
Në padinë e ngritur ish-luftëtari i UÇK-së, shkruan se Manja jo vetëm si ministër i Drejtësisë, por edhe si deputet i Parlamentit të Shqipërisë ka dijeni se vendi ynë nuk ratifikuar dhe as e ka bërë ndonjëherë pjesë së marrëveshjes së ekstradimit me Kosovën, Ligjin Special mbi të cilin janë ngritur Dhomat Speciale të Kosovës.
Dritan Goxhaj u arrestua më 31 korrik për llogari të Gjykatës Speciale, pasi akuzohej për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës. Arrestimi i tij u bë me pretendimin se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve të disa çështjeve penale, të ngritura pas përfundimit të luftës në Kosovë.