Dy të rinj janë vënë në pranga në Tiranë, pasi administronin një biznes ku janë gjetur mijëra fishekzjarre të kalibrave të ndryshëm. Sipas policisë në magazinën që ndodhet në rrugën “5 Maji” mbaheshin qindra koli me fishekzjarre, të dyshuara të futura kontrabandë në vendin tonë, me qëllim shitjen.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, në këtë ambient, janë kapur në flagrancë dhe janë arrestuar bashkë-administratorët e këtij biznesi Irdi Kaça 22 vjeç dhe Ersion Skënderi, 20 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Në magazinë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 391 koli me mijëra fishekzjarre të kalibrave të ndryshme.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të mos përdorin lëndë piroteknike, në kundërshtim me rregullat dhe me kriteret e përcaktuara në aktet në fuqi, pasi do të ndëshkohen konform ligjit.