Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë ka finalizuar operacionin e koduar “Trade.”
Në kuadër të këtij operacioni ka rëndë në pranga administrator i një Call Centeri si dhe janë proceduar penalisht 5 punonjëse (operatore). Në kërkim është shpallur pronari i subjektit.
Është arrestuar L. Ll., 28 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti call center.
U proceduan penalisht V. L., 25 vjeçe, E. H., 22 vjeçe, I. P., 22 vjeçe, S. H., 26 vjeçe dhe A. Ç., 22 vjeçe, të pesta banuese në Tiranë, të punësuara si operatore në këtë subjekt.
U shpall në kërkim G. C., 31 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi L. Ll. administronte një subjekt privat call center, me pronar shtetasin G. C., në rrugën “Myslym Shyri”.
Në këtë subjekt të paregjistruar në organet kompetente ishin të punësuara si operatore shtetaset V. L., E. H., I. P., S. H. dhe A. Ç., të cilat, së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.
Si rezultat i operacionit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4 aparate celulare, shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, si dhe lista me të dhënat e shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar për të investuar në bursa fiktive.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e shtetasit G. C. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Mashtrimi”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Fshehja e të ardhurave”.