SPAK ka lëshuar 11 urdhër-arreste mbrëmjen e djeshme për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal. Deri më tani janë arrestuar disa prej tyre ndër ta edhe oficerë dhe punonjës të policisë.
Në kuadër të këtij operacioni është shoqëruar në polici edhe ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani. Ai akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash. Në momentin e arrestimit, Breçani ka qenë pranë stadiumit ‘Air Albania’ bashkë me Dedan Gjonin, shef i Krimeve te komisariati Nr. 6 në Tiranë. Ata kishin prerë biletat për të parë ndeshjen e kombëtares me Ishujt Faroe. Prangat iu vunë edhe Gjonit, ndaj të cilit janë ngritur disa akuza për vepra të rënda penale, një prej të cilave është ajo e sigurimit te kushteve për të kryer vrasje. Po ashtu bëhet me dije se mes të shoqëruarve janë edhe 7 punonjës të tjerë të Policisë.
Operacioni vijon ende dhe mes të arrestuarve bëhet e ditur se janë edhe Besmir Mustati dhe Bujar Germizi, i cili akuzohet për krijim kushtesh për të kryer vrasje dhe është emër i njohur në Kukës.
Besmir Mustafi dhe Gramoz Germizi ne bashkëpunim me Dedan Gjonin dyshohet se kanë tentuar vrasjen e dy vëllezërve që jetojnë në Britani. Në pranga është vënë edhe Jonida Babameto, oficere e drejtorisë së kufirit dhe migracionit, e cila mësohet se ka dhënë informacione nga sistemi TIMS për dy vëllezërit, pasi ka punuar në Interpol. 4 të tjerë dyshohet se janë në Spanjë, ku po vijon operacioni.
Gjithashtu urdhër-arrest ka edhe për djalin e Erzen Breçanit, Eralbi Breçani, i cili akuzohet për trafik droge dhe pastrim parash
Në kërkim është edhe biznesmeni Ervin Mata, një emër i njohur për drejtësinë, pas përplasjes që ka pasur me bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj, në një lokal në ish-Bllok në vitin 2018.
Nga informacionet paraprake mësohet se kjo goditje nga SPAK është faza e dytë e operacionit Metamorfoza, i cili më parë ka zbardhur një sërë ngjarjesh kriminale ku u vunë në pranga disa efektivë policisë, një prokuror si dhe biznesmenë.
Gjithçka ka ardhur pas zbërthimit të mesazheve nga aplikacioni i koduar “SKY ECC”. Mbi të akuzuarit rëndojnë akuza për pastrim parash, grup i strukturuar kriminal, trafik droge, sigurim kushtesh për të kryer vrasje, shpërdorim detyre dhe përkrahje e autorit të krimit.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla përgëzoi prokurorët për besimin dhe bashkëpunimin.