Del foto e shqiptarit të vrarë mbrëmjen e djeshme në Athinë, i cili u qëllua për vdekje nga policët e shtetit helen, pasi i sulmoi këta të fundit dukei plagosur me armë zjarri.
Personi që shihni në pamje është Adil Tefa, shqiptari që ishte në Mercedes-Benz dhe hapi zjarr ndaj motorit.
Gjithashtu, mësohet se personi në fjalë është baba i një vajze 25-vjeçe dhe pronar i nje servisi makinash në zonë.
Më herët, mediat greke e kanë cilësuar Athinën gjatë të shtunes si “Çikagon e viteve ’30”, për shkak të incidenteve të shumëfishta në rrugët e kryeqytetit që kishin si protagonist një shtetas shqiptar.
Si pasojë e të shtënave me armë zjarri të ndodhura brenda pak minutash në lagjet Kato Patisia dhe Agioi Anargyrou, bilanci ishte dy persona të vdekur, si dhe tre të tjerë të plagosur, mes të cilëve dy policë.
Gjithçka nisi pak pas orës 9:30 të mbrëmjes, në kryqëzimin e rrugëve Georgiou Nazou dhe Kourtidou, në Kato Patisia. Aty janë kryqëzuar dy makina, drejtuesit e të cilave kanë debatuar ashpër dhe janë përleshur me njëri tjetrin.
Shoferi i parë doli nga makina dhe hapi zjarr duke plagosur rëndë shoferin tjetër, i cili ndërroi jetë në spital.
Pak sekonda më vonë, pasagjeri që ndodhej në makinë me personin që u plagos ka dalë nga makina dhe në tentativë për t’u larguar është përplasur nga një automjet që kalonte, duke u plagosur lehtë.
Sipas informacioneve paraprake autori i të shtënave është me origjinë shqiptare. Pas ngjarjes ai ka braktisur makinën dhe nën kërcënimin e armës ka ndaluar një automjet tjetër që kalonte, duke zbritur me forcë drejtuesin dhe duke u larguar nga zona.
Duke drejtuar makinën e vjedhur me shpejtësi është nisur drejt Agioi Anargyrou, ku ka tentuar të kryejë një grabitje me armë në një pikë karburanti në zonë.
Aty ka braktisur makinën e vjedhur dhe ka tentuar të largohet në këmbë. Duke parë makinën e patrullës së policisë që po shkonte në vendngjarje, ai e ka ngatërruar me taksi dhe iu afrua. Në momentin që ka kuptuar se ishte automjeti i policisë ka qëlluar mbi policët, të cilët iu kundërpërgjigjën me armë duke e vrarë.
Dy efektivët e policisë mbetën të plagosur lehtë, nga të shtënat që morën, njëri në këmbë dhe tjetri lart në jelek antiplumb në nivelin e shpatullave.