Një 3-vjeçare u dhunua nga edukatorja e saj në një kopsht privat në Tiranë, duke i shkaktuar thyerje të kockës së femurit në kofshë. Majlinda Dehima, e cila fillimisht mohoi të kishte shkaktuar fraktura tek vogëlushja, denjoi të mbulonte fajin edhe pse pamjet filmike të siguruara nga kopshti, tregonin të kundërtën e asaj që mbronte edukatorja.
Mesditën e së shtunës, dy raste të tjera u denoncuan. Një 2-vjeçare e lënduar në çerdhe dhe një 4-vjeçar në kopsht. Raste të ngjashme mund të ketë plot, por deri tani shumë pak janë denoncuar me zë e figurë qoftë në media, qoftë në polici. E kur prindërit nuk mund të kenë siguri për fëmijët në kopshte e çerdhe, me të drejtë lind pyetje: Kush po i mbron fëmijët tanë?
Jo çdo prind ka mundësi që të kujdeset për fëmijën. Qendrat e edukimit (kopshte e çerdhe) janë të vetmet opsione që mbeten, por edhe këto po kthehen në rrezik për vogëlushët.
E para që duhet të japë llogari është Ministria e Arsimit. Kopshti ku u dhunua dhe iu thye këmba 3-vjeçares ushtronte aktivitet pa licencë. Kjo e fundit u jepet qendrave të edukimit nga Ministria e Arsimit, e cila vetëm pas ngjarjes së transmetuar në televizion, u kujtua të ushtronte kontroll e të vërtetonte se në fakt kopshti, nuk ishte një i tillë pasi nuk kishte licencë.
Së dyti, task forca për të cilat ministria u zotua se do t’i ngrejë në zbatim të ligjit për të kontrollua kushtet në kopshte dhe çerdhe, do të duhej të ishin ngritur me kohë. Një fëmijë 3-vjeçar nuk mund të flejë në një krevat marinari, pasi lartësia rrezikon që fëmija të bjerë e të lëndohet. Sjellja agresive e edukatoreve të cilat shfryhen te fëmijët, është një presion psikologjik që shkakton trauma. Për të mos kaluar më pas te dhuna.
Së treti, problemi në vendin tonë janë edhe strukturat e Policisë së Shtetit. Komisariati Nr. 1 në Tiranë u bë palë me fajtorin duke fshehur të vërtetën e thyerjes së këmbës së 3-vjeçares e duke sorollatur babain e vogëlushes lart e poshtë, që të shmangej dënimi i edukatores dhe përbaltja e kopshtit. Po kur ne nuk mund të kemi besim te policia e korruptuar, atëherë ku të drejtohemi për të denoncuarit fajtorët?
Së katërti, ne jemi një popull që nuk ngrihemi në këmbë as për fëmijët tanë. Në protestën që u mbajt në Tiranë për të kërkuar drejtësi për dhunën ndaj 3-vjeçaresm shumë pak prindër u bënë bashkë për të dënuar fajtorin. Po nëse nuk ngrihesh ti për fëmijën tënd, atëherë kush pret të çohet? Ministria e fjetur? Policia e korruptuar? Apo edukatoret e dhunshme?