Shtyhet për të disatën herë seanca në Gjykatën e Posaçme për marrjen në pyetje të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në gjykatë nuk u paraqit ish-kryeministri Berisha, ndërsa atij iu caktuan dy avokate kryesisht nga gjykata, Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia. GJKKO njoftoi se iu la kohë mbrojtësve për t’u njohur me aktet e procedimit penal të fazës së hetimit paraprak, të përcjella nga ana e Prokurorisë së Posaçme. Seanca e radhës do të mbahet sot në orën 15:00. Avokatja Cenalia ka debatuar gjatë seancës dhe ka kërkuar dy ditë kohë, por kjo nuk është miratuar pasi sipas saj, ajo është njoftuar mbrëmë në orën 20:00 dhe nuk ka pasur kohë ta studiojë dosjen.
Më parë gjykata duhet të shqyrtojë kërkesën e bërë nga avokatët e ish-kryeministrit Berisha për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Për shqyrtimin e kësaj kërkesë është caktuar gjyqtarja Flora Hajredinaj.
Një ditë më parë avokatët e Sali Berishës braktisën sallën pas disa orë seance në shenjë proteste për rrëzimin e kërkesës së tyre nga gjyqtarja Irena Gjoka. Ata kërkuan interpretimin e masës së Berishës nga Gjykata Kushtetuese, kërkesë e cila u rrëzua.