Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron u prit me ceremoni zyrtare nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në kuadër të vizitës zyrtare dyditore që po zhvillon në Tiranë.
Pas himneve përkatëse, dy presidentët kaluan para truprojës së nderit dhe patën takim kokë më kokë.
Presidenti Begaj nënvizoi se kjo vizitë demonstron interesin e përbashkët për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe në drejtim të paqes, sigurisë, dhe zhvillimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Pjesë e bisedimeve me Presidentin Macron ishin edhe integrimi evropian i Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon. Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen, për mbështetjen e vyer që Franca dhe Presidenti Macron i kanë dhënë e i japin procesit të zgjerimit dhe të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Procesit të Berlinit. Ai gjithashtu vlerësoi iniciativën e ndërmarrë një vit më parë nga Presidenti Macron, për lançimin e Komunitetit Politik Evropian, si një iniciativë që i jep më shumë mundësi Shqipërisë dhe vendeve të tjera kandidate në Bashkimin Evropian, të kenë më shumë akses në projektet e BE-së, veçanërisht në fushën e shkëmbimeve universitare dhe studentore.
Ndërkaq Edi Rama dhe presidenti i Francës Emmanuel Macron nënshkruan marrëveshjet ekonomike dhe bashkëpunimi mes dy vende.