Kush ka vajza botën ka! Kështu thotë një shprehje, por që për disa llogaritet si e pavlerë. Në vetvete, të qenurit një qenie e gjallë është më shumë se sa një mrekulli. Ti frymon, jeton, gëzon, qan, qesh, mërzitesh, lumturohesh, vuan, por në fund mbetesh një qenie prej mishi e gjaku, pavarësisht gjinisë, ngjyrës së lëkurës, racës, besimit fetar e shumë dallime të tjera.
Por, të qenurit një femër, flas në Shqipëri, shpesh krijon paksa dilemën nëse është fat apo mallkim. Them kështu, sepse kultura e familjes na ka mësuar se kur një nëna lind një djalë familja gëzon me ahengje e tavolina shtruar. Por, e kundërta ndodh kur të qarat e foshnjës i përkasin një vajze.
Fëmija është bekim, e padyshim, duhet të jetë i tillë duke mos krahasuar gjinitë. Por çfarë ndodh në shoqërinë tonë? Dëshira për të pasur një djalë shpesh arrin në ekstrem. Ka nga ata burra që e kapërdijnë ‘turpin’ dhe tentojnë derisa të bekohen me një djalë. Të tjerë e kanë të pashmangshme shfaqjen e mërzisë kur në vend të djalit, vjen në jetë një vajzë. Gratë arrijnë deri në fazën e keqtrajtimit se pse lindën vajzë dhe jo djalë. Madje, një rast i fundit dëshmoi se kjo dëshirë e sëmurë po kthehet në rrezik jete për femrat.
Të dhunosh dhe të torturosh një grua me kamxhik, grushta e shkelma çdo ditë vetëm për faktin se lindi një vajzë, është përtej çnjerëzores. Ka dhe nga ata të cilët nuk i flasin me gojë bashkëshortes dhe nuk kujdesen për fëmijën e tyre, vetëm sepse nuk është djalë, por vajzë.
Epo, me të drejtë ne femrave shpesh na lind pyetja: a jemi me fat apo të mallkuara?
Për këta njerëz kaq tradicionalë (që unë do t’i quaja në fakt të prapambetur) bëjmë mirë të themi dy fjalë, të flasim mbi atë që na ka treguar familja rëndom.
Një nënë mund të ketë 3, 5, 8 djem por në fund përfundon duke jetuar e vetme pa kujdesin e tyre, paçka se i ka dashur më shumë se bijat. Një vajzë e vetme mes 7 apo 8 vëllezërve është e gatshme dhe sakrifikon gjithçka vetëm që nëna të jetë e sigurt, të ketë një strehë dhe të ndjehet me vërtet një NËNË. Ç’mund të themi për djemtë në këtë rast? A nuk duhet t’ia kthenin nënës dashurinë e pakursyer prej vitesh?
Edhe në një marrëdhënie vjehërr-dhëndër, gjithmonë priret që të ketë më shumë ngrohtësi dhe respekt se sa në marrëdhëniet vjehërr-nuse. Pse? Sepse meshkujt priren të jenë më protektivë dhe më të kujdesshëm kur vjen puna te prindërit, anasjelltas edhe për këta të fundit. Kjo bën që marrëdhënia nuse-vjehërr të jetë disi më e tensionuar se sa ajo mes dhëndrit dhe vjehrrës.
Djemtë shpesh priren të kenë marrëdhënie më të mira me të ashtuquajturit ndryshe “prindër blu” ose prindërit e bashkëshortes. Pikërisht për arsyet e përmendura më lart.
Të jesh femër është më shumë se fat dhe nuk është faji ynë që disa njerëz zgjedhin të jetojnë të ardhmen duke lëvizur gurët e së kaluarës. Megjithatë, ajo që vlen të përmendet është se dashuria karshi një fëmije është e njëjtë, qoftë djalë apo vajzë, sepse secili prej tyre është një pjesë e juaja.