Ka ndërruar jetë tek spitali i Traumës 16-vjeçari me inicialet K.Xh., i cili po kryente manovra të rrezikshme me jet ski në plazhin e Llamanit, mjet që e kishte marrë me qira bashkë me 3 miqtë e tij.
Ai pësoi goditje të fortë si pasojë e përplasjes së dy jet skive teksa po luante me miqtë e tij. Adoleshenti u transportua ditën e djeshme në spitalin e Traumës, por fatkeqësisht u nda nga jeta mëngjesin e sotëm.
Viktima drejtonte njërin nga mjetet e ujit ndërsa i plagosur mbeti edhe shoku i tij i cili ishte në të njëjtin jet ski me të dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Fillimisht dy shokët e tjerë, si pasojë e tronditjes, kanë dhënë dëshmi të rreme duke thënë se dy shokët e tyre u dëmtuan pasi u hodhën nga shkëmbi në det, por më pas, gjatë hetimeve, kanë deklaruar të vërtetën.
Bëhet e ditur se ka nisur hetimi për një prej 17-vjeçarëve për veprën penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia” si edhe për pronarin e mjeteve lundruese jet sky. Për arsye sigurie i është bërë pezullimi i aktivitetit me mjetet lundruese.