Shqipëria ka mbyllur procesin e rishikimit të legjislacionit, proces që nisi më 19 korrik 2022, menjëherë pas Konferencës së Parë Ndërqeveritare, 16 vite pas firmosjes së marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Procesi teknik i quajtur ndryshe si procesi “Screening” është faza e parë përgatitore para hapjes se negociatave për anëtarësim në BE. Tashmë Shqipërinë e presin hapa të tjerë drejt integrimit në BE.
Ky proces lidhet me vlerësimin analitik të legjislacionit shqiptar nëse është në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian ose jo. Kësisoj, vendi ynë duhet të përgatisë një udhërrëfyes ku të identifikohen reformat kryesore që do të ndërmarrë sipas kapitujve 23 dhe 24 të sundimit të ligjit që pritet të hapen të parat në negociata.
27 shtetet anëtare duhet të vendosin me unanimitet, në bazë të propozimit të Komisionit nëse në fillim të vitit 2024, do të nisin zyrtarisht negociatat për grup-kapitullin e parë me Shqipërinë.
Nuk dihet se sa kohë do të kërkojë rishikimi i këtyre kapitujve. Kroacisë, shtetit të fundit të anëtarësuar në BE iu deshën dhjetë vite për të përfunduar negociatat për të gjithë kapitujt e legjislacionit evropian.